Kryetari i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Ser Suma Çakrabarti më 6 maj do të qëndrojë për vizitë në vendin tonë, në suaza të së cilës do të takohet me përfaqësues qeveritarë dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Çakrabarti, siç është paralajmëruar, duhet të takohet me kryeministrin Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Koço Angjushev dhe ministrin e Financave Deragan Trevdovski, ndërsa do ta vizitojë edhe “Skopje Siti Moll”, shoping qendër e parë e financuar nga BERZH-i në Maqedoninë e Veriut.
Vizita e Çakrabartit, është në suaza të vizitës së tij rajonale në Ballkanin Perëndimor, e cila vjen si përgatitje para Asamblesë Vjetore të BERZH-it, e cila mbahet javën e ardhshme në Sarajevë.
Nga BERZH-i, informojnë se kjo është vizita e parë e Çakrabartit pas miratimit të emrit të ri të vendit, të cilin Banka e sheh si një hap pozitiv drejt tërheqjes së investimeve në rajon.
Kryetari i BERZH-it, thuhet në kumtesë, do ta konfirmojë përkushtimin e Bankës lidhur me investimet e mëtejshme në vend dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa do ta theksojë edhe pozicionin e Bankës si partner strategjik të Maqedonisë së Veriut, e cila deri më tani është investues institucional udhëheqës me 1.9 miliardë euro në 150 projekte.
Banka me aktivitetet e veta në Maqedoninë e Veriut fokusohet në mbështetjen e zhvillimit konkurrues në sektorin privat, përforcim të sigurisë dhe qëndrueshmëri të energjisë, si dhe mbështetje të ndërlidhjes dhe integrimit rajonal.
Vitin e kaluar BERZH-i i intensifikoi aktivitetet e Ballkanit Perëndimor, duke investuar mbi 1.1 miliardë euro në 67 projekte dhe planifikon ta ruajë apo për një nuancë ta rrisë nivelin e investimeve të deritanishme rajonale, theksohet në kumtesën e BERZH-it.(koha.mk)