Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu sot priti ambasadorin amerikan në vend, Xhes Bejli.
Takimet e këtilla, informojnë nga Komuna e Çairit, kanë peshë të madhe për njësitë e pushtetit lokal pasi krijojnë predispozita dhe horizont të ri për përforcimin e efikasitetit funksionues.
Kryetari Ganiu e ka njoftuar ambasadorin Bejli për gjendjen aktuale të Komunës së Çairit, për angazhimin dhe punët konkrete që po ndërmerr udhëheqësia e re për të qenë në mënyrë sa më efikase në shërbim të qytetarëve.
Ai gjithashtu ka falënderuar ambasadorin amerikan për angazhimin dhe gatishmërinë e përhershme që të dëgjojë sfidat e menaxhimit të udhëheqjes së komunave në vendin tonë dhe të ofrojë përkrahjen e tij maksimale për tejkalimin e suksesshëm të tyre.
Ambasadori Bejli ka falënderuar kreun e Komunës së Çairit për mikpritjen duke inkurajuar atë dhe gjithë strukturën organizative në misionin për të kryer obligimet profesionale në kohë dhe në mënyrë cilësore.
Ai ka premtuar vazhdimësi dhe fuqizim të përkrahjes për shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me perspektivë që trajton në mënyrë të barabartë çdo qytetar të vendit.