Shkup, 21 mars – Blerim Reka edhe zyrtarisht është kandidat për president të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi që sot Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) e shqyrtoi dhe konfirmoi listën e tij të parashtruar.
“Lista për kandidat për president të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut viti 2019 për kandidatin Blerim Reka, në Komisionin Shtetëror Zgjedhor u dorëzua më 19 mars, ndërsa konform dispozitave të Kodit zgjedhor, neni 67 (paragrafi 1) Komisioni Shtetëror Zgjedhor në afatin e konfirmuar me ligj e shqyrtoi dhe e konfirmoi listën, me çka Reka është kandidat për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kumtoi KSHZ-ja pas seancës së sotme.
KSHZ-ja duhet të prononcohet edhe për kandidaturat e Stevo Pendarovskit nga LSDM-ja dhe koalicioni dhe të Gordana Siljanovska Davkovës nga VMRO-DPMNE-ja.
Sipas paralajmërimit, nesër në selinë e KSHZ-së do të mbahet seancë publike në të cilën me short do të vërtetohet renditja e listës së vetme të kandidatit për zgjedhje të presidentit të shtetit.
Në seancën e sotme të KSHZ-së është miratuar kërkesa e Shoqatës së personave me nevoja të veçanta “Së bashku mundemi” – Gostivar për marrje të autorizimit për monitorim për Zgjedhjet presidenciale 2019. (koha.mk)