Hetimet thonë se të gjithë procedurat janë kryer nëpërmjet ndërmjetësve në qytetet Kyustendil dhe Pleven, të cilët kontaktuan qytetarët e Moldavisë, Ukrainës dhe Maqedonisë që paguanin 5000 euro për të marrë certifikata të rreme me origjinë bullgare. Gjatë aksionit, policia konfiskoi pesë kompjuterë me informata zyrtare si dhe 10.000 dokumente tjera – aplikime nga shtetas të Maqedonisë
Remzije BILALLI
Shkup, 31 tetor – Ministrja bullgare e Drejtësisë, Cecka Caçeva, njoftoi se deri në fund të vitit do të ketë ndryshime në Ligjin për lëshimin e shtetësisë bullgare me qëllim që të shmangen keqpërdorimet dhe mashtrimet në të ardhmen. Grupi i punës është duke punuar për ndryshimin e Ligjit mbi shtetësinë bullgare. Alarmi u ngrit në fillim të pranverës, kur shtypi francez shkroi për keqpërdorimin e madh dhe shitjen e pasaportave evropiane në Bullgari, shkruan gazeta KOHA.
Mediat raportuan se me këto para është financuar VMRO-ja bullgare e ministrit të Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov. Gjatë dhjetë viteve të fundit, mbi 115.000 jobullgarë kanë marrë shtetësinë me certifikata të origjinës bullgare. Numri më i madh i aplikantëve janë shtetas të Maqedonisë. Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë të Bullgarisë tregojnë se këtë vit, kërkesa për shtetësi kanë dërguar 10.000 shtetas të Maqedonisë. Për këtë arsye janë ngritur akuza së në Bullgari po bëhet falsifikimi i dokumenteve për të marrë pasaportë bullgare.
Padi penale është ngritur kundër kryetarit të Agjencisë shtetërore për bullgarët jashtë vendit, Petar Haralampiev. Pretendohet se si kreu i një grupi kriminal të organizuar, ai së bashku me 20 persona tjerë morën ryshfete për të lëshuar pasaporta bullgare personave që nuk i plotësonin kushtet. Ndër të pandehurit është edhe sekretari i Përgjithshëm i Agjencisë.
Përafërsisht 40 certifikata për shtetësi bullgare lëshohen çdo javë. Grupi organizoi dhënien e dokumenteve për origjinë bullgare, pa i plotësuar kushtet personat e caktuar. Me këto certifikata personave iu është lehtësuar procedura për marrjen e shtetësisë bullgare në Ministrinë e Drejtësisë. Hetimet thonë se të gjithë procedurat janë kryer nëpërmjet ndërmjetësve në qytetet Kyustendil dhe Pleven, të cilët kontaktuan qytetarët e Moldavisë, Ukrainës dhe Maqedonisë që paguanin 5000 euro për të marrë certifikata të rreme me origjinë bullgare. Gjatë aksionit, policia konfiskoi pesë kompjuterë me informata zyrtare si dhe 10.000 dokumente tjera – aplikime nga shtetas të Maqedonisë, transmeton KOHA.
Katja Mateva, ish-presidente e Departamentit për Shtetësisë të Ministrinë së Drejtësisë në Bullgari, tha se rreth 60 aplikacione për shtetësi u refuzuan, pasi Interpoli paralajmëroi se ishin lëshuar urdhëresa kundër aplikantëve. Policia ka arrestuar 22 persona të dyshuar për falsifikim të dokumenteve me anë të cilave – qytetarët maqedonas, ukrainas dhe moldavë kanë marrë pasaporta bullgare, njoftuan mediumet bullgare. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Kristijan Vigant, tha se po përgatitet një raport për mashtrimet në shumë shtete anëtare, kur është fjala për dhënien e shtetësisë për investitorët, ose të ashtuquajturat “Pasaporta e Artë”. (koha.mk)