Ka mbaruar koha kur bashkëpunimi me policinë të shpallet apriori kodoshllëk. Jo. Bashkëpunimi me policinë që është në interes të jetës sonë, në interes të sigurisë së fëmijëve tanë dhe në interes të ruajtjes së pronës sonë private dhe publike, jo vetëm që nuk është kodoshllëk, por është madje patriotizëm
Nga Emin AZEMI
Kultura e mosdenoncimit të dukurive negative në mjediset tona është e përmasave shqetësuese. Ata që kanë vizituar Zvicrën, janë kthyer me përshtypjen se kanë vizituar një shtet policor. Këtë perceptim të gabueshëm e krijon bindja se atje gjithçka është nën vëzhgim dhe se asgjë që prish rendin dhe disiplinën, nuk mund të ndodhë pa u marr vesh menjëherë nga policia. Por, kështu nuk është vetëm në Zvicër. Edhe në shtetet më demokratike, devijimet dhe rastet që prodhojnë kriza, denoncohen nga vetë qytetarët. Policia është vetëm ekzekutuese e atyre që janë të përfshirë në këto raste.
Te ne ndodhë që në afërsi të objekteve shkollore të shiten narkotikë, kurse qytetarët që banojnë aty afër nuk i denoncojnë shëmtitë e tilla. Ata ose nuk guxojnë të nxjerrin zë për shkak të pasojave që mund të kenë, ose janë zhgënjyer në organet e rendit, të cilët janë tepër pasiv dhe jo bashkëpunues me popullatën vendore.
Sikur të ndodhte një bashkëpunim më i madh në mes të qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, konkretisht policisë, dukuritë negative nëpër lagjet tona do të minimizoheshin dukshëm. Ka plot raste devijante që qytetarët i vërejnë, por janë të pamotivuar t’i denononcojnë dhe ata zakonisht bëhen indiferent ndaj të keqes, por jo me dëshirën e tyre. Mbeten të konfirmohen dyshimet e qytetarëve të cilët akuzojnë madje segmente të caktuara të policisë për bashkëpunim me grupe të ndryshme kriminale. Ka ndodhur që pas ndonjë denoncimi eventual në polici, banditë kokëqethur të jenë hakmarrur në forma të ndryshme ndaj qytetarit denoncues. Ky i fundit pastaj është shndërruar në vëzhgues pasiv dhe të tillë i ke plot në shoqërinë tonë.
Deputetët dhe njerëzit përgjegjës në këtë shtet që kanë marrë përsipër të menaxhojnë me fatet tona, është mirë të trajtojnë më me përkushtim këtë temë. Ata duhet të hedhin nga dritaret ata policë që bashkëpunojnë me banditët, kurse në lagjet dhe vendbanime tona të risjellin siguri më të madhe, duke iu garantuar qytetarëve moscënim të integritetit të tyre nëse ata bashkëpunojnë me organet e ndjekjes pas denoncimit të rasteve devijonte.
Ka mbaruar koha kur bashkëpunimi me policinë të shpallet apriori kodoshllëk. Jo. Bashkëpunimi me policinë që është në interes të jetës sonë, në interes të sigurisë së fëmijëve tanë dhe në interes të ruajtjes së pronës sonë private dhe publike, jo vetëm që nuk është kodoshllëk, por është madje patriotizëm.
T’i kthehemi edhe njëherë Zvicrës. Ky shtet nuk do të përjetonte një zhvillim të tillë, çfarë e ka aktualisht, nëse qytetarët e saj dhe gjithë komuniteti nuk do të kishin të zhvilluar sensin e denoncimit të gjithçkasë që atyre u pengon. Qytetarët që bashkëpunojnë me policinë atje quhen patriotë, prandaj statistikisht Zvicra njihet si shtet me më pak krime në Europë.
Hajde ta bëjmë edhe ne shtetin tonë Zvicër duke u bërë kodosh si zviceranët. Pastaj, epoletat e patriotizmit le ti marrin ata që nuk bëjnë asgjë për lagjet dhe vendbanimet e tyre! (koha.mk)