Politikbërja e keqe në Kumanovë, e udhëhequr kryesisht nga dy partitë kryesore maqedonase LSDM dhe VMRO, por në koalicion edhe me partitë shqiptare, prodhoi gjendje shumë të keqe në disa rrafshe të jetës, duke qenë kështu një nga rajonet me papunësi enorme, me investime të vogla, kushtet jo të mirë për jetesë, zhvillim joproporcional i pjesëve të qytetit, duke favorizuar vendbanimet maqedonase dhe duke anashkaluar ato shqiptare. Të gjitha këto bashkë çuan drejt zbrazjes së këtij qyteti
Remzije BILALLI
Shkup, 8 janar – Qyteti i Kumanovës për vite të tëra ishte i lënë pas dore. Këtë më së miri e tregon një shëtitje në rrugët e këtij qytetet. Për më shumë se trembëdhjetë vite kjo Komunë është udhëhequr nga struktura të partisë së LSDM, e cila asokohe ishte parti opozitare. Sipas statistikave shtetërore të vitit 2002 në këtë Komunë kishte 137.382 banore me këtë përbërje etnike: maqedonas 49.3%, shqiptarë 39.1%, serb 7.5% si dhe pakica tjera. Por si qëndron realiteti sot?
Papunësia, investimet e vogla, kushtet jo të mirë për jetesë, çuan drejt zbrazjes së këtij qyteti. Për këtë gjendje të errët qytetarët e Kumanovës kishin vetëm një përgjigje – politikbërje e keqe. “Kumanova është e lënë pas dore për vite të tëra, këtë mund ta shihni vetëm nëse shëtisni nëpër rrugët e Kumanovës, sidomos në lagjet shqiptare. Ekonomia, investime, papunësia të gjithë këto kanë luajtur rol që sot rinia të ik jashtë vendit ndërsa Kumanova të ngel ndër qytetet më të pa zhvilluara”, thotë një kalimtar i rastit nga Kumanova për gazetën Koha. Lufta mes pozitës dhe opozitës ka bërë që përveç investimeve kapitale të mungojnë edhe projekte. Faji iu përshkruhet gjithsesi kryetarëve nga radhët e LSDM-së, atëherë opozitare në pushtetin qendror, të cilët nga VMRO-DPMNE-së akuzoheshin se nuk ndanë fonde të mjaftuara për këtë Komunë. Por sot kur kjo Komunë udhëhiqet nga kryetar i partisë LSDM e cila është në pozitë, si qëndron puna?
DIMITRIEVSKI: KEMI REALIZUAR 45% TË PREMTIMEVE, ASH PËRGËNJESHTRON
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski për gazetën KOHA theksoi se deri më tani me mjete të komunës janë realizuar më shumë 150 projekte, nga të cilat ka projekte të vogla, të mesme dhe projekte kapitale siç është rrethqarkorja, parkimi në kate në qendër të qytetit dhe disa projekte të ujërave të zeza, ndërtimi i rrugëve. Por sipas tij mundet të bëhet edhe më shumë.
“Në vitin 2018, por edhe në vitin 2019 kemi rekord të realizimit të projekteve nga buxheti komunal në fushën e shpenzimeve kapitale. Nëse duhet të përjashtoj investimet kapitale që vinë nga mbështetja e Qeverisë në përgjithësi, besoj që programi të cilin e promovuam në fushatë zgjedhore është realizuar diku rreth 45 për qind deri më tani. Por pres realizime më të mëdha në dy vitet e ardhshme të mandatit, sepse bëhet fjalë për nevoja reale të qytetarëve te cilat janë dhe realisht të arritshme”, tha Dimitrievski.
Ai shtoi se LSDM kishte fatin e keq që për 11 vite ishte opozitë dhe për pasojë nuk ishte investuar fare nga ana e pozitës në këtë qytet. Mirëpo, këshilltari Osama Muadini nga Aleanca për Shqiptarë hedh poshtë pretendimet kryetarit Dimitrievski, sepse, sipas tij, edhe vetë raportet e kryetarit të cilat ai i ka publikuar në faqen e Komunës së Kumanovës flasin se premtimet e tij për investime kapitale ne vitin e kaluar janë realizuar vetëm 26%. Ndërkaq këtë vit investimet kapitale nuk kalojnë shifrat më shumë se 32%.
“Nëse flasim me numra dhe statistika dhe bëjmë krahasime për premtimet e bëra, atëherë me këtë trend të realizimeve, Kryetarit aktual do i duhen edhe 40 vite pushtet dhe jo vetëm katër”, tha Muadini. Sipas tij, Kumanova deri në pavarësinë e Maqedonisë ishte qyteti më industrial në rajon, ndërkaq sot është qyteti i cili nuk ka perspektivë fare. “Nëse marrim qeverisjen 10 vjeçare të VMRO-BDI, ekzistonte justifikimi se pushteti i atëhershëm kishte penguar realizimin e projekteve dhe zhvillimin e komunës gjatë këtyre viteve. Por ky justifikim nuk mban, sepse Komuna kishte Buxhetin e saj i cili gjithashtu nuk realizohej nga ana e pushtetit komunal! Mos të harrojmë se në qeverisjen lokale gjatë këtyre 15 viteve bën pjesë edhe BDI, ndërsa tani kur kemi pozitë LSDM-BDI, vazhdon mos interesimi edhe pse ishte premtuar nga ana e Qeverisë se pikërisht Kumanova do të jetë komuna në të cilën do të investohej më së shumti”, tha Muadini.
Feriz Dervishi këshilltar nga radhët e BDI-së theksoi që nga vitet ’90 kjo Komunë udhëhiqet nga LSDM. Sipas tij hendikepi qëndron në atë se ka pasur mos pajtueshmëri mes pushtetit qendror dhe lokal dhe për këtë arsye nuk është investuar në aspektin financiar.
BORXHET E MËDHA, KUFIZUAN INVESTIMET
Borxhi prej 20 milionë euro ndikoi që Kumanova të kufizoj investimet e saj, të cilat datojnë nga viti 2015 e disa kanë rrënjë edhe nga vitet 80, mirëpo sipas Dimitrievskit, nuk është në këtë pozitë për të kërkuar llogari por për të realizuar programin e tij. “Borxhet nga 20 milionë i kemi ulur në 13 milionë euro, rreth 2 milion euro kishim ndihmë nga Qeveria. Të gjitha borxhet janë nga kryetarët e mëparshëm, ne mundohemi që ti zgjedhim tani. Në qoftë se tani ka punë jo legale dhe në qoftë se këtë e vërejmë, menjëherë informojmë organet kompetente për hetim. Por unë nuk dua të flas për të kaluarën, por për të ardhmen”, tha Dimitrievski.
Sipas Dervishit, ata kanë përgjegjësi vetëm për programin që kanë, ndërsa llogaridhënia ndaj borxheve është çështje që u takon të tjerëve. Ndërsa për Muadinin, Komuna gjithsesi duhet të japë shpjegime dhe përgjegjësi jo vetëm para institucioneve por edhe para qytetarëve.
INVESTIMET DISKRIMINUESE NË BAZË ETNIKE
Nga ana tjetër shpesh qytetarët ankohen edhe për diskriminim etnik të investimeve. “Po të shëtisni nëpër lagjet e banuara kryesisht me shqiptarë, do të shihni mjerim dhe anashkalimin e tyre në infrastrukturë. Po të shkoni në lagjet e banuara me maqedonas, me siguri se do e shihni dallimin, edhe pse të gjithë jemi tatimpagues të rregullt”, tha Muadini. Sipas tij, këtë më së miri e dëshmon mungesa e çerdheve, objekteve shkollore në gjuhën shqipe, qendrave kulturore.
Por Dimitrievski hedh poshtë të gjitha akuzat për çdo lloj diskriminimi mbi baza etnike sepse për të këto vinë nga individ të caktuar për politikat e tyre që bëjnë. “Jam i relaksuar në këtë drejtim, sepse nuk e ndaj qytetin dhe as qytetarët në bazë të etnisë, fesë, bindjes politike apo ndonjë bindje tjetër. Vlerësoj se jam duke investuar aty ku është e nevojshme, edhe pse qytetit i duhen shumë investime në veçanti në zonat rurale. Reagime të tilla ka sidomos në rrjete sociale ku shkruajnë se po punoj vetëm në vendet ku banojnë maqedonas apo anasjelltas. Ne po ndërtojmë qytetin nga hyrja ku kemi lagje të përzier, rreth 60 për qind janë shqiptarë. Nuk do ti ndaj qytetarët dhe nuk do të lejoj dikush ta bëj për çfarëdo baze”, tha Dimitrievski.
Sipas tij, investimet në çerdhe, shkolla janë probleme reale, mirëpo këto janë investime kapitale për të cilat Komuna nuk ka buxhet dhe nuk mund t’i ndërtojë. “Kemi dërguar kërkesë tek ministritë dhe kemi përgjigje se po punohet në këtë drejtim, mirëpo nuk kemi zgjedhje të problemit si të çerdheve dhe shkollave. Besoj se MASh duhet të jetë më aktiv që të ndërtojë një objekt për Shkollën e Mesme Teknike, paralelet në gjuhën shqipe si dhe për Gjimnazin “Sami Frashëri”, për të cilat ne kemi ofruar hapësirë për ndërtim, pjesën tjetër duhet ta kryej MASh”, tha Dimitrievski.
Sipas këshilltarit Feriz Dervishi dukuria e diskriminimit është prezent, sepse lagjet maqedonase që nga fillimi kanë qenë shumë hapa para lagjeve të banuara me shqiptarë. “Po punohet në lagjet aq sa ka mundësi, por nuk jemi të kënaqur. Kemi reaguar disa herë dhe vazhdojmë ta bëjmë edhe LSDM e ka pranuar se lagjet nuk janë të zhvilluara në mënyrë të barabartë”, tha Dervishi. Ai theksoi se janë angazhuar që të zgjedhin edhe problemet me mungesën e hapësirave të shkollës dhe se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt. “Këshilli ka dërguar kërkesë dhe kjo ka ngecur nëpër labirinte, por përgjegjësia nuk bie tek ne, sepse ne të gjitha punët i kemi kryer në kohë”, tha Dervishi.
TRE MUJORI I 2020 DO TË KËTË NDRYSHIME NË INVESTIME
Këshilltari Muadini nënvizon se për vitin 2020 në Kumanovë janë paraparë investime kapitale, por dukshëm duhet të investohet në infrastrukturë. “Qeveria duhet të mbaj premtimet për Kumanovën, sidomos në krijimin e kushteve për Zonën Ekonomike dhe thithjen e investitorëve të huaja, që ky projekt mos të ngelet vetëm në letër”, tha Muadini. Kryetari Dimitrievski shprehet se për momentin po bëhen dy investime të mëdha nga ana e bizneseve private në zonën industriale, me mbi 10 milionë euro ku do të punësohen shumë qytetarë.
Meqenëse kjo komunë nuk ka të zhvilluar turizmin, gjithashtu distanca e vogël nga Shkupi bën që turistët të shkojnë më shumë në kryeqytet. Siç potencoi edhe Dimitrievski po planifikohet që në këtë qytet të zhvillohet turizmi në bazë të programeve të Qeverisë. Ndërkohë që pret më shumë investime dhe realizimin e projekteve të parapara në programin e tij. Sipas këshilltarit Dervishi, prioritet do të jetë infrastruktura dhe investimet për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Në tre mujorin e parë të vitit 2020 do të kemi një ndryshim të programit për zhvillimi dhe rikonstruim, si rregullimi i parkut tek studioni, ndërtimet e objekteve shkollore, ndërtimi i një parku për fëmijët në lagjen Tonde Mendoll, rikonstruimi i rrugës Industriale”, tha Dervishi. Ndërtimi i Shkollës së Mesme Teknike, gjimnazi ‘Sami Frashër’, çerdhet në gjuhen shqipe janë premtime të cilat përsëriten për më shumë se 15 vite me radhë dhe po vazhdojnë të premtohen ende, por pa rezultate konkrete. (koha.mk)