Delvina KËRLUKU
Gadaf Rexhepi ka lindur në Shkup, shkollën fillore në “25 Maji”, të mesmen ekonomike “Arseni Jovkov”. Tre ciklet e shkollimit të lartë në Fakultetin Ekonomik “Shën Kirili dhe Metodi”, ndërsa pjesë të studimeve të doktoratës i ka realizuar në “Wolverhampton University”, në Angli. Nga viti 2003 është pjesë e Universitetit të Evropës Juglindore si ligjërues në lëndët “Principet e Menaxhmentit”, “Menaxhmenti Strategjik” dhe “Teoria e Lojës”. Ai ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare mes të cilave në Universitetin e Oksfordit dhe Kembrixhit, Universitetin e Grazit, si dhe në shumë universitete tjera në Belgjikë, Angli, Austri, Turqi, Kroaci, Slloveni, Moldavi, Romani, Greqi, etj. Ai është autor dhe bashkautorë i disa librave të botuara në shqip, por dhe në anglisht nga shtëpi botuese më me renome si Routladge, Springer dhe Taylor and Francis ku dhe në një libër “Routladge Handbook of Social Finance” është bashkautor me disa profesorë nga Universiteti i Kembrixhit dhe Oksfordit. Ajo që më shumë bie në sy janë mbi 50 punime shkencore të botuara në disa nga revistat dhe shtëpitë botuese më me renome në botë një pjesë e tyre të listuara në web of science (me faktor ndikimi). Ai së bashku me dy bashkautor tjerë ka qenë fitues i punimit shkencor më të mirë për vitin 2016 nga EMERALD. Gadaf Rexhepi është i martuar dhe ka një djalë.
KOHA: Qeveria e re e Maqedonisë parashikon më shumë investime këtë vit dhe ripërtëritje të ekonomisë, sidomos pas rënies që pësoi vitin e kaluar si pasojë e krizës politike. Sa optimist jeni në përmirësimin dhe zhvillimin e ekonomisë në vend?
REXHEPI: Pas një krize të thellë politike që gjithsesi ndikoi shumë dhe në pjesën ekonomike, mendoj se optimizmi ishte evident tek të gjithë qytetarët në Maqedoni. Kur kemi kështu situata, pra optimizëm më të lartë nga konsumuesit e produkteve dhe shfrytëzuesit e shërbimeve, më bën të mendoj se mund të kemi një përmirësim të gjendjes së përgjithshme ekonomike. Por, kjo personalisht nuk më gëzon dhe shumë, pasi që mendoj se Maqedonia nuk ka nevojë për përmirësime të vogla, por për zhvillim real të ekonomisë së vendit dhe në këtë pjesë – optimizmi im është i ulët. Në situata kur nuk ka turbulenca, ekonomitë në mënyrë të natyrshme kanë rritje ekonomike (nga 1 – 2 për qind rritje të GDP-së), por ajo çka ne si ekonomi kemi nevojë është zhvillim real i ekonomisë (5 – 6 përqindje rritje të GDP-së). Po e cek zhvillim real pasi që edhe në situatë të kemi rritje ekonomike prej 5 – 6 për qind edhe për disa vite kjo nuk do të thotë që të gjithë qytetarët do të e ndjejnë këtë zhvillim njëjtë pra me rëndësi është dhe distribuimi i rritjes ekonomike. Të analizojmë këtë përmes një shembulli, 5 vitet e fundit kemi patur një rritje ekonomike që duket diçka pozitive por kjo ka qenë kryesisht si rezultat i investimeve të mëdha në fushën e ndërtimtarisë (Shkupi 2014) kjo nënkupton që rritjen e kanë ndje kryesisht ndërmarrjet në sektorin e ndërtimtarisë por jo dhe sektorët tjerë. Por, edhe në sektorin e ndërtimtarisë duke patur parasysh që këta projekte i kanë realizuar vetëm disa firma do të thotë se jo të gjitha firmat në këtë sektor e kanë ndje këtë zhvillim. Gjithashtu, dhe nëse kemi parasysh se rroga e të punësuarve në këto ndërmarrje nuk është rritur në mënyrë drastike, besoj është e qartë që efekti i kësaj rritje ekonomike është ndjerë vetëm tek një grup shumë i vogël njerëzish apo ndërmarrje. Kjo është dhe arsyeja pse shumica e qytetarëve sot janë më të palumtur në krahasim me të kaluarën edhe pse shikuar numrat ne kryesisht qëndrojmë më mirë (para 10 viteve papunësia ka qene rreth 33 për qind ndërsa, sot është 24 për qind, GDP për capita është rritur rreth 1000 dollarë, rroga mesatare gjithashtu ka patur rritje prej rreth 6000 denarë). Pra rritja ekonomike pa ndonjë zhvillim real ekonomik nuk është edhe ndonjë parametër matës shumë i mirë. Në mesin e shumë ekonomistëve në shumë shtete, shpesh diskutohet se zhvillimi ekonomik i shtetit nuk duhet të matet vetëm me GDP-në, por dhe me shumë parametra tjerë, të cilat janë të lidhura direkt me qytetarët dhe me atë sa ata ndjejnë ndryshime cilësore në përditshmërinë e tyre. Mendoj se dhe kjo qeveri duhet të jetë e orientuar në zhvillim ekonomik dhe jo vetëm në rritje ekonomike.
KOHA: Stabilizimi i situatës politike dhe kthimi i besimit të investitorëve do të ndikojë edhe në rritjen e lëvizjeve ekonomike private. Kjo ka munguar vitet e kaluara!? Për të mundësuar një gjë të tillë, a duhet vetëm mbështetje buxhetore?
REXHEPI: Bizneset kanë nevojë për përkrahje qeveritare, por duhet të kemi të qartë se përkrahja e tyre duhet të jetë në forma të ndryshme varësisht nga faza e zhvillimit të ndërmarrjes. Pra, nëse një ndërmarrje funksionon suksesshëm vite me radhë – mund të përkrahet duke i lehtësuar ndonjë procedurë burokratike, përkrahja financiare duhet të orientohet të bizneset e reja që janë në fazën fillestare të biznesit, por kryesisht në financimin e biznes ideve apo inovacioneve tek të rinjtë dhe dhënien e “knoë-hoë” apo dijeve profesionale në fazat e para të zhvillimit të biznes ideve. Kjo fatkeqësisht po bëhet kryesisht vetëm për të patur në agjendë, por jo dhe realisht. Do të kisha patur shumë dëshirë që një ditë të shoh shumicën e të rinjve, të cilët janë të orientuar në krijimin e ndonjë ideje biznesore dhe më pak shndërrim të kësaj ideje në inovacion përmes procesit të komercializimit. Kreativiteti nuk është se mungon, por mungon orientimi dhe përkrahja. Për atë arsye mendoj se përkrahja qeveritare mundem mjaft të ndikon dhe se ajo është çdoherë e nevojshme.
KOHA: Edhe pse një pjesë e konsiderueshme e biznesit kanë të holla edhe ide për investime, megjithatë ato janë në pritje se çka do të ndodhë në të ardhmen me ambientin e politik në vend. Si mendoni, cilat janë barrierat e sipërmarrjes në biznesin aktual?
REXHEPI: Fillimisht dua të cek që në Maqedoni na mungojnë, do t’i quaj sipërmarrës të vërtet, ato mendoj se janë shumë të pakët. Tek ne, sidomos në pjesën e bizneseve shqiptare, si formë më e zhvilluar biznesi është tregtia. Tregtia edhe pse edhe ka rëndësinë e vet – për çdo ekonomi ajo paraqet formën më të thjeshtë të bërjes biznes, dhe efekti i saj në ekonomi zakonisht është shumë i ulët. Ajo që bie në sy sidomos tek ndërmarrjet që merren me tregti që ata tregun e shohin si “zero-sum game”, apo që të fiton njëri duhet tjetri të humbë dhe fatkeqësisht dhe investimet e tyre i orientojnë në biznese që realisht kjo dhe vlen. Pra, investitorët e ri kryesisht po orientohen në tregjet ku kemi shumë ndërmarrje që ofrojnë produkte apo shërbime. Ata, për të tërhequr klientë të rinj, po ulin çmimet dhe më pas dhe cilësinë e vet punës në përgjithësi. Do të kisha rekomanduar që sipërmarrësit e rinj të mundohen të kuptojnë tregun si “non-zero sum game”, pra nëse vjen me produkt apo shërbim inovativ apo nëse vendos të shesësh në ndonjë treg të ri, nuk ka nevojë patjetër të marrësh një klient nga dikush tjetër (krijo treg të ri). Në kontekst të barrierave nuk besoj se ka vend që nuk ka barriera por, natyra e tyre dallon, kështu në Maqedoni mendoj se janë disa barriera si krizat politike, ndarja e tenderëve në forma jo-transparente, korrupsioni, ekonomia jo-lojale, fuqia blerëse e konsumatorëve etj.
KOHA: Ligji për zhvillimin e barabartë rajonal shumë pak ka arritur të sigurojë një nga qëllimet e tij, atë të zhvillimit të barabartë dhe të qëndrueshëm në tërë territorin e Maqedonisë. Cila është mundësia për zvogëlimin e pabarazive ndërmjet dhe në kuadër të rajoneve të planit, shfrytëzimit optimal dhe valorizimit të pasurisë natyrore, kapitalit njerëzor dhe veçorive ekonomike të rajoneve të ndryshme, ringjalljes së fshatrave dhe zhvillimin e rajoneve me nevoja specifike zhvillimore, etj?
REXHEPI: Tentativa për zhvillim të barabartë rajonal në vitet e kaluara ka patur, por ato kanë qenë shumë jo-efikase. Sot Shkupi është thuajse gjysma e Maqedonisë, por jo rastësisht kjo për shkak të mundësive më të mëdha për punësim si dhe infrastrukturës më të mirë. Sot kemi qytete siç është Dibra me një rini shumë të shkolluar dhe qytetarë të tillë, por që fatkeqësisht është thuajse i zbrazur. Kërçova, Gostivari dhe Tetova në masë të madhe ndihmohen nga familjarët e tyre në mërgim që është e pakuptimtë sidomos nëse sheh gjithë ato resurse natyrore në këto anë ku nuk investohet aspak. Mund të merrni si shembull Kodrën e Diellit, e cila është lënë pas dore edhe pas kërkesave për investime në këtë vend. Gjendja e saj akoma vazhdon të jetë në gjendje siç edhe është. Qeveria e Maqedonisë hapi Zona të lira duke orientuar investimet në disa rajone të ndryshme, por duke lënë anash rajonet shqiptare. Nëse analizoni Zonat e lira ekonomike në gjithë Maqedoninë, do të habiteni sa pak shqiptarë janë të punësuar këtu. Mos të flasim për Kumanovën apo zonën e Likovës, e cila është lënë totalisht në harresë, dhe pikërisht ajo zonë ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe një kërkesë të madhe nga njerëzit të vizitojnë këto vende. Pra, është e pa kuptimtë si shteti nuk arriti të investon në këto potenciale, por dhe shumë tjera kur kërkesa për të vizituar këto vende është shumë e madhe. Mos të flasim për infrastrukturën e sidomos shkollat ku ata mësojnë. Fshatrat, sidomos të rajoneve jashtë Shkupit, janë në gjendje të mjerueshme.
KOHA: Problem tjetër që mundon jo vetëm Maqedoninë, por edhe shtetet e rajonit – është ikja e madhe jashtë shtetit e pjesës me vitale të popullatës. Vetëm nga Maqedonia llogaritet se kanë ikur me qindra mijëra të rinj vetëm në 10-15 vitet e fundit. Ku e shihni këtë ngërç të problemit?
REXHEPI: Përkrah natalitetit shumë të ulët dhe mplakja e shpejt e qytetarëve të shtetit, problem tjetër serioz është largimi i të rinjve. Në të kaluarën, sidomos shqiptarët kishin emigrim të lartë që edhe pse edhe ky proces nuk ka qenë i mirë në aspektin ekonomik ka dhënë disa efekte pozitive, për faktin që shumica e këtyre individëve ishin kryesisht njerëz me shkollim dhe kualifikime shumë të ulëta dhe kryesisht nga fshatra pa perspektivë. Pra nga aspekti ekonomik janë larguar njerëz që kanë patur problem për ekonominë (nuk dua të ndërhyj në pjesën pse veç tek shqiptarët) që në afat të gjatë edhe kjo është një problem serioz për shtetin dhe ekonominë. Por, sot gjendja është edhe më e keqe pasi që tani nga Maqedonia largohen disa nga të rinjtë, të cilat janë me arsimin shumë të lartë dhe kanë kualifikime të shkëlqyera. Kjo është situatë që ndikon shumë negativisht në ekonominë tonë, e sidomos pas disa viteve jam i bindur se kjo do të reflektohet edhe më shumë. Kjo për faktin që këta të rinj kanë kapacitet të jenë bartës të proceseve të reja nëpër ndërmarrjet ekzistuese, kanë kapacitet të krijojnë inovacione për të krijuar ndërmarrje të reja, të cilat do të jenë në gjendje të shesin produkte apo shërbime në tregun ndërkombëtare, të jenë mjekë të shkëlqyer etj. Si problem më serioz për moment kemi largimin e mjekëve të rinj që erdh vetëm pas një liberalizimi të tregut në Gjermani, por mos të harrojmë që me integrimin në BE mundësitë e tyre do të jenë edhe më të mëdha atëherë ky problem mund të jetë më i madh. Arsyet pse ndodhin janë të shumta, por fillimisht mendoj se lidhen me mospasjen e mundësisë të punësimit të menjëhershëm, rrogat shumë të ulëta, kushtet e punës, mundësia për progres në punë, mosrespekti, padrejtësitë në punë etj. Një moment tjetër që mendoj se gjithashtu ka ndikim është krijimi i një perceptimi që më të mirët çdoherë largohen se ata më të dobët ngelin këtu, apo glorifikimin e atyre që kanë arritur ndonjë rezultat shumë mesatar në ndonjë vend pune në ndonjë shtet perëndimor duke anashkaluar kuadrot që kanë vendosur të qëndrojnë këtu. Mendoj se mediat duhet të promovojnë edhe vlerat e atyre që kanë vendosur të qëndrojnë në Maqedoni edhe përskaj mundësive që edhe ata i kanë, mendoj se këta janë heronjtë e vërtet. Nuk dua të uli vlerën a atyre që kanë vendosur të largohen dhe që kanë arritur të sistemohen mirë – gjithsesi kjo është një e arritur për respekt. Por si shoqëri, duhet të kuptojmë se sot nuk është ndonjë e arritur spektakulare që një i ri të punon në ndonjë universitet, spital apo institucion tjetër në ndonjë shtet perëndimor. Qeveritë duhet të kuptojnë që mundësitë e këtyre të rinjve dallojnë edhe nga ato para 10 viteve e mos të flasim para 20 e më shumë viteve. Për të punuar mjek, inxhinier apo edhe programer në ndonjë shtet të Unionit Evropian ka qenë thuajse e pamundur, por sot kjo nuk është ashtu. Andaj, ata duhet të kuptojnë që kostot oportune për një të ri për të qëndruar në vendlindje janë shumë më të larta, për shkak mundësive që kanë. Nëse ne nuk mësohemi ti respektojmë vlerat më shumë, por dhe të përkujdesemi për ata jam i bindur se ky trend do të vazhdon.
KOHA: Një sfidë shqiptare është dhe struktura ekonomike ende e dobët. Nga buron optimizmi për perspektivën e tyre ekonomike?
REXHEPI: Fatkeqësisht, edhe pse ka patur mjaft ndryshim të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni mendoj se ne jemi akoma në situatë shumë të rëndë. Nëse analizojmë 10 ndërmarrjet më të mëdha në Maqedoni, asnjë nuk është me pronar shqiptar, por dhe në 100 ndërmarrjet më të mëdha dhe me të suksesshme në Maqedoni – bizneset me pronarë shqiptarë sillen zakonisht rreth 6-7 për qind. Kjo po që është një problem serioz që reflektohet në faktin se pse shumica e të rinjve shqiptar nuk arrijnë të punësohet dhe se shumica atakojnë administratën shtetërore.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë në kushte shumë të rënda, por jo vetëm që kanë probleme me gjendjen ekonomike brenda në shtëpi, por dhe në vendet ku ata jetojnë, shkollat ku mësojnë, çerdhet, spitalet, rrugët, kanalizimet, kaosi në urbanizim si dhe kaosi në rrugë. Gjithsesi, një fëmijë i rritur në këto kushte do të jetë nxënës më i dobët, nuk do të ketë kreativitet, do të jetë më i padisiplinuar si dhe shumë anomali tjera në krahasim me nxënësit që i kanë këto kushte (shumica e nxënësve maqedonas). Sipas një hulumtimi të bërë që si duket do të shpallet shpejt, fëmijët shqiptarë në krahasim me ata maqedonas del të jenë shumë më të dobët, fakt që nuk besoj se do të na befason pasi që duke u nis nga ajo që ceka më herët është gjithsesi i pritshëm. Moment tjetër është që vdekshmëria e foshnjave te gratë shqiptare është shumë më i lartë se tek ata maqedonas, si dhe e fundit – nëse shohim numrat e amnistisë së fundit të burgosurve, vërejmë që numri i shqiptarëve dhe maqedonasve ishte thuajse i barabartë. Kjo jo për faktin që shteti jonë është reformuar deri në atë pikë ,por pasi që numri i shqiptarëve në burgje si përqindje është shumë më i lartë se të tjerët. Po i ceki këto fakte pasi që nëse ne jetojmë në këto rrethana nuk mund të presim që të nxisim sipërmarrësinë apo suksesin tek të rinjtë shqiptar sidomos jo në nivel të atyre maqedonas. Po ju jap dhe një fakt! Nga katër konkurse nga fondi i inovacionit për financim të start-up të ri, ka patur vetëm një aplikant shqiptar, ndërsa për çdo konkurs ka patur mesatarisht rreth 50 aplikantë gjithsej (pronarë maqedonas). Maqedonia si shtet po vazhdon të tregohet e padrejtë ndaj shqiptarëve dhe ne si duket nuk po arrijmë ti vërejmë këto pasi jemi koncentruar në çështje tjera. Për të nxitur optimizmin, ne duhet të punojmë të nxisim sipërmarrësinë dhe për të arritur përqindje më të lartë të ndërmarrjeve me pronarë shqiptarë në Top 10 apo edhe 100 kompanitë më të mira në Maqedoni na duhen kuadro shumë cilësorë në të gjitha profilet. Për të realizuar këtë fillimisht duhet të krijojmë shkolla fillore dhe të mesme, të cilat do të jenë në top shkollat më të mira dhe jo shkollat tona të jenë të ranguara në fund. Ngjashëm është situata dhe me universitetet ku ne kemi krijuar tre universitete, të cilat kanë filluar të krahasohen mes veti duke harruar se ne jetojmë së bashku me nacionalitete tjera, dhe duke penguar njëri-tjetrin dhe duke garuar se kush na qenka më i miri tek shqiptarët. Kjo për mua flet se jemi duke lëvizur pa vizion sado që mendojmë se e kemi atë.
KOHA: Duke patur parasysh se jeni profesor universitar, bashkëshort dhe prind, si e përshkruani ciklin e jetës tuaj?
REXHEPI: Në universitetin e Evropës Juglindore (Shtuli) kam filluar të punoj thuajse menjëherë pas diplomimit si asistent i ri, mandej duke kaluar nga asistenti në docent dhe tani profesor i asocuar. Janë diku 14 vite në Universitet dhe gjithsesi janë vitet më të bukura dhe më frytdhënëse. Universiteti i Europës Juglindore ka qenë një vend që çdoherë ka ndihmuar kuadrot e reja dhe i ka përkrahur ato në çdo sfidë profesionale. Ne kemi arritur të evoulojmë shumë në krahasim me fillimet tona e kam fjalën për evoulim shumë të madhe dhe mendoj se stafi i këtij universiteti është vërtet konkurrues me shumë universitet që ekzistojnë në Maqedoni dhe rajon.
Fatkeqësisht, politika e arsimit të lartë ka ndikuar tek të gjitha universitetet duke mos i lejuar ata të zhvillohen në formën e duhur. Çdo herë kur dal para studentëve ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë të përçoj njohuri tek studentët. Por gjithsesi të gjitha këto lëvizje në karrierë në periudha të ndryshme kanë kërkuar kohë dhe përkrahje që asnjëherë nuk më ka munguar si nga prindërit deri në përfundimin e studimeve të mia dhe me pas dhe nga bashkëshortja ime. Mendoj se është shumë me rendësi të bëhet një kompromis mes karrierës dhe jetës private, asnjëherë nuk kam menduar se me qëllim të arritjes në karrierë të sakrifikohet familja apo jeta private. Gjithsesi se ka periudha në jetë sidomos gjatë studimeve kur kemi nevojë të sakrifikojmë më shumë dhe si primare kam patur mësimin por pas përfundimit të të gjitha niveleve të studimeve shumë herë kam bërë (ende bëj) sakrifica profesionale duke refuzuar shumë mundësi të cilat ndoshta do të më kishin vendosur në pika edhe më të larta profesionale sidomos ato ndërkombëtare por shumë pak herë kam bërë sakrifica të tepruara familjare. Me bashkëshorten time, e cila ka qenë studente në Fakultetin e Mjekësisë thuajse çdo ditë kemi gjetur mënyre të shihemi dhe pimë kafe bashkërisht. Për mua ka qenë ndihmëse e madhe ky kompromis pasi që përmbushja shpirtërore në shtëpi më bën të jem më i qetë dhe i koncentruar në punë.
KOHA: Ku e bashkon dhe e dallon dashurinë tuaj mes familjes dhe universitetit?
REXHEPI: Gjithsesi se bëhet fjalë për kënaqësi të ndryshme, por ato janë komplementare. Mendoj se njeriu ka nevojë për dashuri dhe përmbushje profesionale por dhe për nevojë për dashuri dhe përmbushje familjare. Çdo ditë i gëzohem fatit që kam një punë që vërtet e dua dhe më përmbush, por dhe një bashkëshorte dhe familje me të cilën arrijmë që thuajse çdo ditë ta shndërrojmë në të jashtëzakonshme. Tani kemi dhe djalin tonë, Kroni, që vetëm se e ka bërë jetën tonë edhe më të bukur.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.