Edhe në vendet e botës që kanë shëndetësi të zhvilluar, operacionet plastike, që bëhen për arsye estetike, nuk mbulohen nga sigurimet.
Por, në Brazil, të ruash bukurinë është baras me të drejtën për të qenë person i shëndetshëm, ndaj shteti ofron operacione plastike falas, ose shumë lirë, siç ofron dhe shumë shërbime të tjera spitalore. Por kjo ka edhe anën e vet shumë të errët.
Shëndetësia shtetërore në Brazil nuk i afrohet aspak standardeve të klinikave private. Madje, shumë banorë thonë që të shkosh për operime plastike falas në spitalet shtetërore rrezikon shumë, aq sa trajtohesh si kavje për teknika të reja operimi.
Por për shumë gra, në kulturën braziliane rrezikon akoma më shumë po të mos jesh e bukur, pasi bukuria është faktor domethënës në punësim, shoqëri e madje edhe për t’u martuar. Kështu që, spitalet shtetërore në Brazil kryejnë rreth 500,000 operime estetike në vit dhe radha e pritjes është e gjatë.
Meritën kryesore për përfshirjen e operacioneve plastike në sistemin shëndetësor falas e ka një kirurg, Ivo Pitanguy, i cili në vitet 1950 bindi presidentin Juscelino Kubitschek se të qenit jo të bukur dëmton shumë mirëqenien e njeriut, nëpërmjet stresit.
Në vitin 1960, kirurgu Pitangui, i njohur sot si “Papa” i operacioneve estetike, hapi qendrën e parë në botë që ofronte operacione plastike për të varfrit. Ai vdiq plot nderime në moshën 90-vjeçare, në vitin 2016.
Në fakt, shumica e kirurgëve që kryejnë operime në shtet janë të rinj, të cilët janë duke mësuar që të bëhen kirurgë plastikë. Si rrjedhojë, teknikat dhe materialet e reja testohen me pacientët që shkojnë në spitale publike, duke i vënë në rreziqe shumë të mëdha. “Bioplastia”, për shembull, mund të shkaktojë dëme të tmerrshme te një pakicë personash, por mjekët e quajnë përqindje rreziku si në çdo operim tjetër.
Mjekët plastikë brazilianë njihen në të gjithë botën për risitë që sjellin, por një nga arsyet është sepse në vendin e tyre nuk ekzistojnë kufij për testimet që mund të bëjnë mbi njerëzit, të cilët nuk kanë një sistem drejtësie që t’i mbrojë shumë në rast se i hedhin në gjyq.
Në një vend ku të qenit të bukur është diçka shumë e rëndësishme, pacientët janë gati të rrezikojnë gjithçka e të bëhen subjekt për eksperimente të reja. Brazili është një nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të operacioneve plastike, me rreth 1.2 milionë në vit.