Shefi ekzekutiv i Bajern Munihut, Karl-Hainz Rummenigge ka kritikuar Robert Levandovskin pasi sulmuesi ka ngritur pyetje në lidhje me merkaton e bërë nga bavarezët gjatë verës, shumë larg asaj të Paris Se-Zhermenit, Mançester Sitit dhe Barcelonës. Mesa duket Levandovski nuk ka pëlqyer që Bajerni investoi 40 milionë euro për të marrë Korentina Tolisso nga Lioni, 20 milionë euro për Niklas Sule të Hofenhaim, 20 milionë euro për blerjen përfundimtare të Kingslej Koman nga Juventus, plus huazimet e Hames Rodriguez dhe Sebastian Rudy. “Bajerni duhet të gjejë diçka të re dhe kreative, nëse klubi dëshiron që “yjet” më të mëdha të futbollit botëror të tërhiqen nga projekti i tyre. Nëse dëshiron të qëndrosh në nivelet më të larta, ke shumë nevojë për këta lojtarë”, – tha Levandovski, pas humbjes 2-0 ndaj Hofenhaim.
Nuk ka vonuar as përgjigja e Rummenigge për gazetën “Bild”. “Padyshim që Robert është irrituar nga merkato e PSZH. Ai është i punësuar te Bajern Munih si futbollist dhe fiton shumë para. Nuk jam dakord me kritikat e tij. Ai që kritikon klubin ose shokët e skuadrës do të ketë personalisht probleme me mua. Do të futet në telashe. Nuk më kanë pëlqyer as deklaratat e tij në fund të sezonit të kaluar, ku akuzonte të gjithë se nuk e kishin ndihmuar të shpallej golashënuesi më i mirë. Nuk mendoj se Levandovski duhet t’i lejojë vetes të tilla deklarata, pasi ka një kontratë deri në vitin 2021, pa asnjë klauzolë prishjeje. Deklarata të tilla rëndojnë dhe shqetësojnë klubin tonë. Në të ardhmen mund të kemi telashe, po vazhduam në të tillë mënyrë,” – u shpreh Rummenigge. “Do të ishte e shëmtuar nëse Levandovski i sheh gjërat në të tillë mënyrë. Besnikëria është pjesë e ADN te Bajern Munih dhe është shumë e rëndësishme për tifozët. Për një kohë të gjatë ne po ndjekim një filozofi serioze dhe të suksesshme që na ka dhënë sukses të madh. Unë qëndroj në krah të ekonomistit të klubit, sipas të cilit pagat e lojtarëve duhet të reduktohen dhe të ndryshojnë vit pas viti, në vartësi të asaj që jep futbollisti”, përfundoi Rummenigge.