Shkup, 9 janar – Është dita e parë e punës së Kuvendit për 2018-tën dhe mazhoranca assesi nuk arriti të sigurojë kuorum për ligjin e gjuhëve dhe zgjedhjen e gjykatësve të Kushtetueses. Edhe pse seanca u thirr për në orën 12 e njëjta filloi pas dy orëve. Por edhe atëherë nuk ishin numrat e mjaftueshëm për ligjin.
Deputetja e LSDM-së Gjylymsere Kasapi nuk pranon se ka probleme me sigurimin e numrit të deputetëve. Arsyetohet me festat e fundvitit.
Dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe Syrija Rashidi thanë se do ta mbështesin ligjin, por kërkojnë përgjegjësi nga shumica për zvarritjen e mos miratimit të ligjit për shqipen.
Kjo nuk është hera e parë që shumica parlamentare dështon për të votuar ligjet në mungesë të kuorumit. Kryeministri Zoran Zaev për këtë arsye ditë më parë tha se është i interesuar që të ketë një shumicë stabile me afro 65 deputetë. Seancat e sotme janë shtyre për të enjten kur edhe pritet që të sigurohet kuorum për të ju dhënë dritë jeshile propozim ligjeve. (alsat)