Shkup, 24 dhjetor – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut pritet sot pas orës 11:00 ta vazhdojë seancën e 126-të ku në rend dite janë 125 pika, kryesisht ligje në procedurë të shkurtuar, në lexim të parë dhe të dytë.
Kuvendi sot duhet të deklarohet për vazhdimin e afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të fluksit të madh të hyrjes dhe tranzitimit të emigrantëve nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut, pastaj t’i votojë vendimet për emërimin e drejtorëve, zëvendësdrejtorëve dhe anëtarëve të disa institucioneve shtetërore dhe komisioneve. Në rend dite janë poashtu edhe dy ratifikime ku njëra është mes Qeverisë tonë dhe asaj të Serbisë për hapjen e vendkalimit të përbashkët Llojan- Miratoc. Në këtë seancë janë edhe më shumë ligje në procedurë të shkurtuar, ku siç informojnë nga Kuvendi janë pjesa më e madhe e harmonizimit të Ligjit për kundërvajtje.
Kjo seancë plenare ka filluar dje, ndërsa deputetët shtatë orë nuk arritën të merren vesh se si do të duket rendi i ditës.
Debati filloi me Propozim- deklaratën e të drejtës së pjesëmarrjes politike të qytetarëve me aftësi të kufizuara të dorëzuar nga grup i deputetëve.
“Do të jemi mes vendeve të para në botë të cilët miratojnë kësi Deklarate”, ka thënë Frosina Remenski, një nga propozuesit.