Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në vazhdimin e seancës së 106 e votoi Rregulloren për ndryshim dhe plotësim të Rregullores së Kuvendit të RMV, me procedurë të shkurtuar. “Pro” ndryshimeve të Rregullores, që janë të ndërlidhura me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, votuan 63 deputetë, pa mbështetje të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
Për këtë pikë të rendit të ditës në seancën 106-të dje reagoi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, sipas të cilit me sjelljen në procedurë të shkurtë nuk respektohet procedura dhe se nuk është në përputhje me procesin “Zhan Mone” në të cilin partitë politike, siç tha, në mënyrë koncensuale merren vesh për sjelljen e rregullores në Kuvend. Ai e pyeti propozuesin kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi se pse propozimi për ndryshime përmban një pjesë të çështjeve të pambyllura të procesit “Zhan Mone” dhe nuk iu është lënë grupeve parlamentare që bashkë dhe në mënyrë koncensuale ta miratojnë.
Micevski akuzoi se njëjtë sikur edhe Ligji për gjuhë, vazhdon me taktikë të njëjtë dhe kërkon miratim të ndryshimit të Rregullores. “Nuk kemi asgjë kundër përdorimit të gjuhëve që i flasin kombësitë tjera në Maqedoni, por kemi kundër mënyrës në të cilën është miratuar edhe Ligji për gjuhë edhe Rregullorja të cilën e propozoni sot”, tha koordinatori i partisë opozitare. Xhaferi u përgjigj se Ligji për përdorimin e gjuhëve është sjellë në vitin 2018 është në fuqi dhe me të parimisht është paraparë detyrim ligjor që në afat prej gjashtë muajve të harmonizohen aktet nënligjore të Kuvendit.
“Në bazë të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, unë udhëheq dhe kryesoj me Kuvendin në gjuhën shqipe, ndërsa Rregullorja i përcakton procedurat. Dhe për këtë, isha i kujdesshëm që të mos bëj presion për këtë çështje gjatë këtyre gjashtë muajve aq sa ishte afati”, tha Xhaferi. Koordinatorët e grupeve parlamentare i porositi që të sigurojnë shumicë prej 61 deputetëve që nesër të votohet për ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores.