Shkup, 7 mars – Ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Laiq sot vjen në Shkup në bisedime me Ministrin e Bujqësisë së Maqedonisë, Lupço Nikollovski për zgjidhjen e problemit me importin e miellit të Serbisë në Maqedoni.
Këtë për MIA-n e konfirmuan nga kabineti i Laiqit, i cili dje më herët paralajmëroi se Serbia nga sot do të vendosë kundërmasa ndaj Maqedonisë për shkak të importit të vështirësuar të miellit.
Nga kabineti i tij, gjithashtu, kumtuan se nëse sot nuk arrihet zgjidhje rreth këtij problemi, Serbia do të vendosë kundërmasa për Maqedoninë, të cilat siç thonë, tashmë janë përgatitur.
Ministri i Bujqësisë së Maqedonisë Lupço Nikollovski, dje deklaroi se “nuk është në dijeni për paralajmërimet për kundërmasa nga Serbia”, por se janë në kontakt të vazhdueshëm dhe se bisedimet për gjetjen e zgjidhjes vazhdojnë.
Opsion i pranueshëm për Maqedoninë, theksoi Nikollovski, është që pullat kontrolluese për import të një, dy dhe pesë kilogramëve miell të ngjiten në Serbi, ndërsa për paketimet prej 25 dhe 50 kilogramëve në Maqedoni në pajtim me Rregulloren e re.
“Gjendja e krijuar me importin e miellit nuk do të shkaktojë mungesë të miellit në treg dhe rritje të çmimit të miellit”, pohon Nikollovski, duke përsëritur se qëllimi është që të respektohet Rregullorja e cila më herët ka ekzistuar dhe se me atë do të zvogëlohet çmimi i pullave kontrolluese dhe shkurtohen procedurat administrative.
Siç thotë, aktivitetet e ndërmarra janë në bazë të argumenteve të cilat kanë treguar se ka dallim prej 25.000 tonëve në miellin e importuar dhe pullat e dhëna të kontrollit.
“Një janë numrat zyrtarë për import të cilat i jep Drejtoria Doganore, ndërsa të tjera janë ato të cilat i jep Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa krejtësisht të tjera janë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave për pulla të dhëna kontrolli. Kemi dallim prej 25.000 tonë për të cilët nuk janë dhënë pulla kontrolli, ndërsa Drejtoria Doganore thotë se kanë hyrë në kufi”, deklaroi Nikollovski.
Siç sqaroi, importuesit në kërkesën për tërheqjen e Rregullores, përveç argumentit për ngjitjen e pullave, reagojnë se duhet ta respektojnë pjesën për deponim të miellit në depot për import.
“Parashtrohet pyetja se pse atëherë ekzistojnë depo nëse atje nuk deponohet mielli dhe shkon drejtpërdrejt në shitje, dhe nëse gjysma shitet, ndërsa për gjysmën marrim analiza dhe cili qytetar do të jetë i sigurt nëse blen miell për të cilin nuk ka analiza. Negociatat dhe bisedimet do të vazhdojnë në këtë drejtim”, tha Nikollovski.
Ai paralajmëroi se gjatë ditës për problemin me importin e miellit do të bisedojë edhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, si dhe në seancën e sotme të Qeverisë.
Pritet, që në Këshillin e sotëm ekonomik të ministrave nga resori i ekonomisë të hapet edhe çështja për ndryshimet e Rregullores për shkak të së cilës ndodhi mosmarrëveshja me Serbinë.
Problemi me importin e miellit serb u paraqit pasi Maqedonia, më 8 shkurt të këtij viti, i vendosi ndryshimet në Rregulloren ekzistuese. Me ndryshimet urdhërohet që mielli të shënohet me pulla pas distribuimit të tij dhe kontroll të plotë në vend, e jo para se të mbërrijë në Maqedoni, nga eksportuesit.
Serbia reagoi sepse konsideron se Maqedonia po vendosë barriera, që nga ana e Maqedonisë mohohet dhe se përmendet se kushtet për import edhe deri më tani kanë qenë të njëjta, vetëm ka ndryshuar radhitja e tyre dhe duhet të respektohen.