Nesër do të fillojë rrugëtimi i Albin Kurtit në kërkim të edhe një mandati në krye të Vetëvendosjes.
Të shtunën prej orës 15:00 Kurti në Sallën e Kuqe do të prezantojë platformën e tij qeverisëse, duke qenë i vetmi kandidat për këtë post.
Me këtë platformë ai synon ti marrë votat e anëtarëve të partisë për zgjedhjet që do të zhvillohen më 21 janar.
Vetëvendosje po mban zgjedhjet e brendshme në një kohë të jashtëzakonshme për këtë parti. E karakterizuar së fundi me largime, dorëheqje dhe linçime, partia më e madhe opozitare po kalon një kohë krizash.
Albin Kurti, që e ka të fituar garën për kryetar ende pa u kryer ajo, pasi nuk ka asnjë kundërkandidat, nuk pranoi të tërhiqej, pavarësisht kërkesave për kompromis nga një grup i madh i figurave më të rëndësishme të Lëvizjes.
Këmbëngulja e tij e sjell atë sërish në krye të Lëvizjes, por pothuajse edhe e ndanë atë, duke rrezikuar që në Parlamentin e Kosovës të mbetet pa një të tretën e deputetëve, dhe nga partia më e madhe në vend, të kthehet sërish si e treta. /gazetametro.net