Kondogbia vlen 80 milionë euro
E ardhmja e Geoffrej Kondogbia do të jetë përsëri te Valencia. Ish-mesfushori i Inter, i transferuar te spanjollët me formulën e huazimit me të drejtën e blerjes, po paraqitet shumë mirë në La Liga dhe është një nga arsyet kryesore të ecurisë së mirë të Valencias në kampionat. Kështu, sipas “Cadena Ser”, Valencia është gati ta blejë përfundimisht lojtarin nga Inter për 25 milionë euro, çmimi i fiksuar nga Interi. Klubi spanjoll duket se ka arritur një marrëveshje me mesfushorin për një kontratë katërvjeçare, brenda së cilës do të përfshihet edhe një klauzolë për prishjen e kontratës me vlerë 80 milionë euro.
25 milionë euro për brazilianin e Romës
Mbrojtësi i majtë i Roma, Emerson Palmieri, shumë shpejt mund të kalojë te Liverpuli për 25 milionë euro, pasi ka lënë pas shpine një dëmtim në gjurin e majtë dhe është krejtësisht i gatshëm për t’u vënë në dispozicion të Jurgen Klopp, pasi trajneri gjerman i Liverpul e ka pëlqyer personalisht brazilianin. Transferimi ka të ngjarë të kryhet në janar. Sipas asaj që bën të ditur “Gazzamercato”, skuadra e Premier Ligë është gati t’i ofrojë Emersonit një kontratë deri në qershor të vitit 2022, me dyfishin e pagës që merr aktualisht te Roma. Emerson, që do të rikthehet me intensitet të plotë në stërvitje, gjatë muajit të ardhshëm, u ble nga Roma për 2 milionë euro nga Santos dhe u huazua te Palermo.
Bajerni interesohet për talentin e Barcelonës
Frank Riberi është në vitin e fundit të kontratës te Bajernj. 34-vjeçari aktualisht po vuan një dëmtim në gjurin e majtë dhe të gjitha gjasat janë që në qershor të largohet përfundimisht nga kampionët e Gjermanisë. Përveç dëmtimeve të shpeshta, francezi ka pësuar rënie të dukshme në formën e tij fizike, kështu që është krejt e natyrshme që rekordmenët të mendojnë për pasuesin e tij. Kandidatin e zbulon gazeta katalanase “Mundo Deportivo”. Sipas saj, Bajerni po ndjek me kujdes talentin e Barcelonës, Hose Manuel Arnaiz. Agjenti i tij është Rene Ramos, vëllai i yllit të Real Madridit, Sergjio Ramos. Interes për këtë lojtar, i cili aktualisht luan te Barcelona B, kanë edhe Mançester Junajted dhe Arsenali, kështu që gara për transferimin e tij do të jetë e ethshme. Presim se cila palë do të jetë fituesja.
Rossi po kërkon një ekip në Serie A
Gjuseppe Rossi konfirmon se është gati të rikthehet dhe është duke kërkuar një skuadër në Serie A, duke shtuar se do ta kishte ëndërr të luante te Napoli ose Milani. Sulmuesi ka pësuar një sërë dëmtimesh të rënda në gju dhe i fundit ka qenë më 10 prill. “Pas dëmtimit, ndihem shumë mirë, jam duke u stërvitur dhe duke pritur për një klub”, shprehet Pepito për “Sky Sport Italia”. “Dëshira ime është të rikthehem në Itali, jemi duke punuar mbi këtë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi më tej Rossi. Ndryshe, një nga opsionet e tij mund të jetë Napoli, që ka humbur Milik me një dëmtim të ngjashëm, dhe Milani. “Natyrisht, do ta kisha ëndërr të luaja te Napoli që po luan futbollin më të bukur dhe mendoj se karakteristikat e mia do t’i përshtateshin. Edhe futbolli i Montellas është ndërtuar për sulmuesit. Objektivi i stilit të tij të lojës është të shënojë gola dhe ai e di mirë këtë aspekt, pasi ka qenë vetë sulmues”, përfundoi Rossi.