Shkup, 21 qershor – Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë të premten ka marrë në pyetje kryetarin e Forumit Rinor të Lëvizjes BESA, Liridon Useini. Arsyeja e marrjes në pyetje të Useinit ka qenë grafitët e shfaqura në Tetovë, me porosi për dislokimin e selisë së BDI-së nga Tetova, por edhe me mesazhe denigruese për krerët e kësaj partie, raporton gazeta KOHA.
Këtë veprim të policisë nga Lëvizja BESA e vlerësojnë si presion ndaj funksionarëve të saj.
“Në vend që MPB të merret me krimin e funksionarëve të pushtetit, ata merren me qytetarët të cilët shprehin revoltën e tyre kundër qeveritarëve aktual dhe të pushtetit kaluar, ku me publikimin e disa përgjimeve po iu del fytyra e vërtetë”, thonë për gazetën KOHA, nga Lëvizja Besa.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë thonë se për çështjen e grafitëve do të dalin me informacion zyrtarë, ndërsa nuk japin detaje nëse është marrë në pyetje apo jo kreu i të rinjve të Lëvizjes BESA.
Përndryshe, pas publikimeve të disa bisedave të përgjuara të krerëve të BDi-së në rrjetet sociale, ku ata në biseda private flasin për tetovarët, brenda natës u shfaqen grafite me përmbajtje për dislokimin e selisë së kësaj partie nga Tetova, por edhe për mesazhet denigruese për krerët e BDI-së. Ishte pikërisht Forumi Rinor i Lëvizjes BESA që doli publikisht dhe deklaroi se qëndron pas këtij aksioni. Përveç në Qytetin e Tetovë, grafite me përmbajtje kundër BDI-së janë shfaqur edhe në disa qytete tjera. (koha.mk)