Shkup, 9 mars -Bashkimi Evropian ka thënë qartë se sundimi i ligjit duhet të jetë në qendër të agjendës së reformave. Pa reforma të gjera, vendi thjesht nuk do të jetë i gatshëm të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë, tha në një intervistë për MIA-n ambasadorja suedeze në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Xhain.
“Një arsye e rëndësishme pse ka dinamika për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE janë përpjekjet e vendit në procesin e skriningut. Në këto ditë, kur njëra krizë pason tjetrën, lajmet në Këshill janë të rralla. Nga atje, procesi i shqyrtimit apo skriningut si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë shihet pozitivisht. Procesi do të jetë rigoroz, duhet të plotësohen standardet – por ka dinamika, thotë Larson Xhain për MIA-n.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë të nevojshme që vendi të shkojë në fazën tjetër të anëtarësimit në BE, ajo thotë se ato mbeten një vendim sovran që duhet marrë nga Maqedonia e Veriut.
Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës suedeze të BE-së, ju thatë se reformat janë çelësi për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së dhe se vendi u tregua i përgatitur mirë dhe mjaft profesional në procesin e skriningut. Si e vlerësoni procesin e skriningut deri tani?
Reformat gjithëpërfshirëse janë me të vërtetë kyçe për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE. Reformat i referohen legjislacionit, por edhe zbatimit efektiv të ligjeve. Pa këtë, vendi thjesht nuk do të jetë gati të hyjë në komunitetin më të avancuar ekonomik dhe politik në botë.
Do të jetë një proces transformues dhe do të kërkojë punë dhe vendosmëri, por nga reformat do të përfitojnë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Jo nga dita kur vendi hyn në BE, por nga dita kur zbatohen reformat. Shkalla e ndryshimit nënkupton se ndryshimi duhet të ndodhë përmes një qasjeje të gjithë shoqërisë.
Një arsye e rëndësishme pse ka dinamika për pranimin e Maqedonisë së Veriut në BE janë përpjekjet e vendit në procesin e shqyrtimit apo skriningut. Në këto ditë, kur njëra krizë pason tjetrën, lajmet e mira janë të rrallë në Këshill. Nga atje, procesi i skriningut si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë shihet pozitivisht. Procesi do të jetë rigoroz, duhet të përmbushen standardet – por ka një dinamikë.
Korrupsioni, klientelizmi, shteti ligjor janë kanceri i shoqërisë sonë. Vetëm tetë për qind e qytetarëve kanë besim në gjyqësor. Qytetarët nuk emigrojnë nga vendi vetëm për arsye financiare, por edhe për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Rekomandimet e Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit nuk janë përcjellë në mënyrë sistematike. Çfarë do t’i rekomandoni politikanëve?
“BE-ja ishte shumë e qartë për faktin se prioritet duhet t’i jepet shtetit ligjor dhe se ai duhet të vihet në qendër të agjendës së reformës.
Korrupsioni ka efekte gërryese për shoqërinë. Ai dobëson demokracinë duke minuar besimin tek institucionet. Ai kërcënon funksionimin e ekonomisë dhe deformon konkurrencën. Qytetarët dhe bizneset humbasin – humbet edhe shoqëria në tërësi. Maqedonia e Veriut duhet të përballet me korrupsionin dhe klientelizmin në mënyrë që të përballet me largimin e të rinjve të talentuar nga Maqedonia.
Lufta kundër korrupsionit dhe dimensionet e tjera të shtetit ligjor janë themelet e anëtarësimit në BE. Nuk është rastësi që ato janë fushat ku fillon dhe përfundon procesi i anëtarësimit të vendeve kandidate në BE.
Ne i ndjekim me shumë kujdes zhvillimet në këtë fushë dhe vërejmë edhe ngecje por dhe progres inkurajues. Nuk ka rrugë të shkurtër në rrugën drejt BE-së.
Sado përparim të jetë bërë në reformat dhe zbatimin e tyre, Maqedonia e Veriut nuk do të mund të shkojë në fazën tjetër të anëtarësimit në BE, nëse nuk zbaton ndryshimet kushtetuese, pra nëse nuk i inkorporon bullgarët në Kushtetutë, për të cilën për momentin nuk është siguruar shumica. Nëse ndryshimet kushtetuese nuk përfundojnë paralelisht me skrinikgun bilateral, deri në nëntor të vitit 2023, çfarë nënkupton kjo për vendin?
“Amendamentet kushtetuese mbeten një vendim sovran që duhet të merret nga Maqedonia e Veriut.
Në këtë kontekst, mund të vlen të përmendet se shumë shtete anëtare të BE-së u është dashur të bëjnë kompromis për çështjet dypalëshe për të zgjidhur çështjet që përndryshe do të pengonin bashkëpunimin brenda Unionit. Vetë BE-ja është në fakt një organizatë e ndërtuar mbi negociata dhe kompromise të vështira – por përfitimet janë shumë më të mëdha se sakrificat që duhen bërë gjatë rrugës. Së bashku jemi vërtet më të fortë dhe situata aktuale gjeopolitike e përforcon këtë fakt.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas Kushtetutës, respektohen të drejtat e të gjitha komuniteteve pakicë. Po në vendet e tjera, ku sipas kushtetutës së tyre nuk njihen minoritetet e tjera, si shembulli i Bullgarisë, Francës… Gjykata e të Drejtave të Njeriut mori disa vendime për Bullgarinë në lidhje me pakicën maqedonase, e cila atje nuk respektohet dhe në këtë mënyrë privon të drejtat njerëzore të qytetarëve të Bullgarisë që deklarohen si maqedonas. Më thoni komentin tuaj për këtë.
Të drejtat e njeriut janë pjesë e vlerave themelore mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian. Ne presim që të gjitha vendet që dëshirojnë të bashkohen me ne, si dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së, të zbatojnë standardet e të drejtave të njeriut.