Komisioni shtetëror për ndalimin e korrupsionit bëri të ditur se një kompani kishte falsifikuar dokumente, ISO certifikata dhe nënshkrime dhe nga periudha 2018 deri në vitin 2022 ka fituar me gjasë rreth 90 tendera për montazhe dhe mirëmbajtjen e lifteve, kryesisht për institucione publike. Nuk e dimë deri ku është e vërteta. Kompania në fjalë sigurisht ka versionin e saj. Por një simbolikë e fortë ky lifti
Nga Nazim RASHIDI
Ndërkohë që e gjithë vëmendja është tek zhvillimet në Ukrainë dhe sidomos kriza që shkakton invazioni rus me lëkundjet e çmimeve, një zhvillim tjetër nuk më hiqet prej kokësh. Komisioni shtetëror për ndalimin e korrupsionit bëri të ditur se një kompani kishte falsifikuar dokumente, ISO certifikata dhe nënshkrime dhe nga periudha 2018 deri në vitin 2022 ka fituar me gjasë rreth 90 tendera për montazhe dhe mirëmbajtjen e lifteve, kryesisht për institucione publike.
WOW… Nuk më hiqet habia. Ja, lajmi është dhënë prej disa ditësh dhe realisht nuk më hiqet nga mendja. Rasti qenka zbuluar pasi është dërguar një ankesë tek Komisioni shtetëror për ndalimin e korrupsionit, për shkak se kompania nuk ka arritur që të fitojë një tender për një spital në Shkup!
Që ky horror të shkojë deri në fund, antikorrupsionerët sqaruan se kompania falsifikonte dokumente që gjoja ishin lëshuar nga një kompani kroate, të cilat përdoreshin për konkurse për tendera. Edhe nënshkrimet e certifikatave kanë qenë false. Komisioni për ndalimin e korrupsionit kërkon, edhe kryeministri kërkon, edhe të gjithë duan t dinë tani më nëse 90 tenderat e kësaj kompanie janë fituar me dokumente false.
Por jo vetëm aq, po ku janë këta ashensorë?
A janë të sigurt?
A kemi hipur ne në ndonjërin prej tyre?
E frikshme.
Reagoi edhe kompania, emri i të cilës nuk u përmend nga antikorrupsionerët, sipas tyre ata janë kompani që funksionojnë 30 vjet. Dhe në fakt siç do ndodhte edhe në çdo film thriller, ngjarja ka një kthesë. Pronarët thonë se ata e kanë paraqitur rastin dhe në vend që të mbrohen nga institucionet, sepse janë viktima të mashtrimeve, e shfaqen si kryerës të krimit. Përfaqësuesit e kompanisë citohen të kenë thënë se si ka mundësi që me gjithë ato inspektorate, trupa rregullatorë,të shfaqet subjekt që bën falsifikim dokumentesh.
Në fakt kjo është pyetja që e bëjnë të gjithë. Për tu sqaruar rasti deri në fund pa diskutim që do duhen hetime të tjera. Por nga ajo që mund të thuhet deri më tani, është se dy palët që flasin pranojnë se ka dokumente të falsifikuara. Nuk e dimë në këtë fazë sa tendera janë fituar me dokumente të tilla, as nuk e dimë nëse liftet e vënë përmbushin standardet e duhura. Nuk dua as të hy e të bëj paralele me tragjeditë e mëdha për këtë vend të vogël, si aksidenti me autobusin në Llaskarcë, djegia e autobusit në Bullgari, apo djegia e spitalit modular në Tetovë, ku në esencë për njerëzit dyshimi është tek pakujdesia e madhe dhe lehtësia me të cilat anashkalohen procedurat. Imagjinoni vetëm, siç thotë dhe vetë Komisioni për ndalimin e korrupsionit “se me certifikatat e rreme për liftet, sa jetë njerëzish janë vënë në pyetje”.
Por do mbes veç tek falsifikimet. Meqë kjo gjë po duket se është fakt tashmë. Që çështje kryesore prej kohësh është papërgjegjshmëria e dimë. Por rasti më bën të mendoj se çfarë shoqërie jemi më?
Vetë ideja që dikush falsifikon me një lehtësi dokumente dhe po me aq lehtësi edhe konkurron për të fituar konkurse shtetërore, tregon se të gjithë mashtruesit e mundshëm e dinë se institucionet nuk funksionojnë. Në rastet e mashtrimeve të titullarëve, mbase arroganca vjen nga pushteti. Siguria se askush nuk do t’i hetojë. Por rasti në fjalë, sado që të hamendësojmë se një privat ka lidhje të forta, me aq lehtësi falsifikon dokumente të huaja, dhe me gjasë pa fije frike edhe i përhap ato në konkurse, tregon se shteti është në rënie. Një simbolikë e fortë ky lifti. Duket se ne jemi të gjithë brenda liftit të dyshimtë që bie në humnerën e mosfunksionimit të institucioneve dhe me gjasë na shpëton ndonjë frenë e rastësishme, për mos tu përplasur në tragjedinë e madhe të korrupsionit.
Po ç’është kjo pangopësi? Ç’është kjo rendje e paparë për pasurim të shpejtë dhe pa punë që po bëhet disi si normë? Shoqëria jonë duhet të fillojë diskutim serioz se a po shndërrohemi në njerëz të pamëshirshëm që do hanë njëri-tjetrin? Sado të rënda të jenë këto konstatime janë një realitet ku pangopësi apo shfaqet si virtyt dhe normë, ku shpërbëhen normat e etikës në jetën e përditshme, por edhe në biznese dhe mbase kalohet në një fazë patologjike. Mbase psikologët mund të vlerësojnë se çfarë u ndodh njerëzve dhe cilat janë arsyet e një sjelljeje të tillë, apo të tensionit shoqëror për pasurim me hile. Filozofët gjithashtu duhet t’i bëjnë një analizë kapitalizmit tonë, që duket se është aq i egër, sa askush nga ata që kanë synim fitimin e shpejtë nuk pyesin jo vetëm për dinjitetin njerëzor, por as për jetët e njerëzve.
Pyetje të rënda e të mëdha që një tekst si ky as që synon, e as që merr përsipër të japë përgjigje. Megjithatë ne jemi duke e jetuar fenomenin “lift”, njerëz, institucione, politikanë, shtet që po shndërrohen në një shoqëri grabitqare pa rregulla e frikë, ku viktimë janë më të pambrojturit. Kjo pamje duhet ta frikësojë më secilin!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)