Shkup, 16 janar – Nëpunësit administrativ do të mund të kalojnë në nëpunës shtetëror. Ndryshimet e reja në Ligjin për nëpunës Administrativ parashikojnë që të angazhuarit për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve nëpër institucione, të mund të punojnë në të gjithë organet e pushtetit shtetëror dhe lokal dhe organet tjera shtetërore, institucionet që veprojnë në fushën e arsimit, shkencës, shëndetësisë, kulturës, punës, mbrojtjes sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve, sport dhe si veprimtari të tjera të interesit publik, të parapara me ligj, të organizuara si agjenci, fonde, organe publike dhe ndërmarrje publike. Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Jahi Jahiu, vlerëson se ky hap është në shërbim të përshpejtimin të procesit të shpërndarjes së administratorëve që janë akoma pa vend pune.
“ Në qoftë se në kuadër të të punësuarve në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka dikush që ka të kryer mjekësinë, dikush që ka të kryer pedagogjinë dhe ka një vend bosh për mësues ose mjek, mund të kalojë atje. Kuptohet se vazhdon të jenë ne fuqi rregullat ligjore që për këtë duhet një marrëveshje trepalëshe ndërmjet institucionit ku duhet të shkojë, nënshkrim i nëpunësit administrative dhe i Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit “, u shpreh Jahi Jahiu, sekretar shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Këto ndryshime nuk përjashtohen edhe për administratorët të cilët tashmë janë sistemuar. Sa kohë do të marrë ky proces, nga ky dikaster akoma nuk kanë një përgjigje. Ndryshimet e reja mundësojnë edhe avancimin e të punësuarve për më shumë shkallë, brenda të njëjtit institucion. Deri tani, avancimi ka qenë i mundur për vetëm një shkallë. Megjithatë nuk potencohet se si për këtë do të rregullohet çështja e pagave.
“Tani ligji ndryshon dhe parasheh që ato do të mund të avancohen në tre shkallë në kuadër të grupit. Ka tre grupe sipas ligjit për nëpunës administrativ dhe në qoftë se një i punësuar është në kategorinë më të ultë të njërit nga grupet mund të avancohet për tre shkallë “, tha Jahi Jahiu, sekretar shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Për sistemimin e të punësuarve është shfuqizuar testimi dhe certifikimi ndërkombëtar për një prej tre gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht dhe parashihet që tani testimi të bëhet në kuadër të Agjencisë për Administratë dhe të jetë falas. Aktualisht, të pa sistemuar nëpër institucione janë mbi 1 mijë e 700 administrator.(alsat)