Çështja e reformave në gjyqësor nuk i prek vetëm partitë maqedonase, por të gjithë partitë politike në vend, prandaj pazaret e dy partive maqedonase duhet të ndërpriten. Maqedonia ka nevojë për reforma cilësore dhe në përputhje me ligjet e vendeve anëtare të BE-së
Destan JONUZI
Shkup, 25 shtator – Pas takimit të fundit mes liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, nuk ka pasur komunikim në nivel të kryetarëve të partive për gjetjen e një zgjidhjeje për Ligjin për Prokurorinë. Nga VMRO-DPMNE-ja paralajmërojnë se një takim tjetër i mundshëm mund të ndodh vetëm nëse arrihet afrim në qëndrimet e dy palëve. Por, edhe pse shqiptarët përgjatë gjithë këtyre viteve nga pavarësimi i Maqedonisë e këndej kanë qenë më të goditurit nga Prokuroria dhe Gjyqësori, partitë politike në heshtje po i bëjnë “amin” vendimeve që do t’i dakordojnë Zaev dhe Mickoski.
Opozita shqiptare, ASH dhe Lëvizja BESA kërkojnë që në takim liderësh ku do të merret vendimi për Ligjin për Prokurorinë Publike, të marrin pjesë edhe partitë politike shqiptare, ndërsa nga BDI e Ali Ahmetit thonë se partia e tyre ka qëndrim të dakorduar më LSDM në lidhje me ligjin për Prokurorinë.
“Ligjin e kemi përgatit bashkërisht në seancë të Qeverisë në të cilin janë inkorporuar edhe qëndrimet e BDI-së”, thonë nga BDI. Me këtë BDI arsyeton takimin dypalësh mes Mickoskit dhe Zaevit. Ish-deputeti, Zudi Xhelili thotë se ligji për Prokurorinë Publike është shkak i takimeve të dy liderëve maqedonas, pasi që sipas tij këto dy parti kanë dallime esenciale sa i përket ligjit, por anashkalimi i partive shqiptare nuk arsyetohet.
“Do të mundohen të arrijnë kompromis duke mbrojtur interesat e tyre, por anashkalimi i partive shqiptare në këto tema është për tu habitur, kur dihet se pikërisht shqiptarët kanë qenë dhe janë viktimat kryesore të proceseve të montuara. Ndoshta kriminaliteti i krerëve të VMRO-së në të kaluarën dhe afera e fundit “Zhvatja” i ka detyruar këto dy parti të kërkojnë rrugëdalje, por çdo përpjekje për të mbuluar krimin dhe për të vazhduar me futjen hundë të politikës në Prokurori apo gjyqësor do të ndikoj negativisht në të ardhmen e vendit. Çështja e reformave në gjyqësor nuk i prek vetëm partitë maqedonase, por të gjithë partitë politike në vend, prandaj pazaret e dy partive maqedonase duhet të ndërpriten. Maqedonia ka nevojë për reforma cilësore dhe në përputhje me ligjet e vendeve anëtare të BE-së”, deklaroi për KOHA, Zudi Xhelili, ish-deputet.
Analisti, Blerim Hyseni thekson se partitë maqedonase kanë dallime thelbësore sepse ato tentojnë të shpëtojnë nga gjyqësori, ndërsa partitë shqiptare nuk duhet të luajnë rolin e vëzhguesit pasiv sepse ky ligj do të vijë në Parlament. “Mendoj që dallimet esenciale qëndrojnë ndërmjet opozitës dhe partisë maqedonase në pushtet dhe shoshitja e këtyre dy qëndrimeve dhe arritja e një ujdie sa i takon ligjit për prokurori nuk do të arrijë të kaloj pa bekimin e subjekteve politike shqiptare kur dihet se për një ligj të tillë nevojitet edhe shumica e dyfishtë në Parlament. Prandaj mendoj që partitë maqedonase kanë dallime thelbësore sepse ato tentojnë të shpëtojnë nga gjyqësori. VMRO të shpëtojë ish udhëheqësit e saj, ndërsa LSDM të mbajë premtimin me të cilin erdhi në pushtet se “nuk do të ketë asnjë amnisti për ata që kanë keqpërdor paratë publike” ose edhe ndonjë zbrazëtirë ligjore sa i takon aferës së fundit “Zhvatja”. Sidoqoftë partitë shqiptare nuk duhet të luajnë rolin e vëzhguesit pasiv sepse ky ligj do të vijë në Parlament dhe atëherë jo vetëm që mund të përmirësojnë por edhe ta bllokojnë nëse vlerësojnë se cenohet interesi i qytetarëve në veçanti atyre shqiptar”, deklaroi për KOHA, Hyseni.
Nga ana tjetër, anashkalimin e liderëve shqiptarë në takimin ku vendoset për fatin e Prokurorisë Publike, ish-deputeti Ruzhdi Matoshi e arsyeton me thyerjen siç shprehet ai të rregullave të pashkruara që BDI i ka kultivuar në politikëbërjen e saj.
“Arsyetimi se kjo çështje është interne mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është kulmi i hipokrizisë dhe diletantizmit politik. Shqiptarët kanë pësuar më së shumti nga padrejtësia e sistemit që duhet të ndajë drejtësi, siç është Prokuroria politike e VMRO-së dhe LSDM-së”, shprehet për KOHA, Matoshi. Përndryshe, KOHA nga kuluare politike mëson se Ligji për Prokurorinë Publike do të jetë një alibi e fortë që Komisioni Evropian (KE) të merr një vendim të kushtëzuar për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në. “Datë do të ketë, por ky vendim nuk do të jetë i zakonshëm si për vendet tjera, pritet një kompromis i kushtëzuar për datën”, brifojnë burime diplomatike për KOHA.