Shkup, 6 prill – Pakoja e masave ekonomike e Qeverisë me vlerë prej 200 milionë eurove me qëllim zbutjen e tronditjes ekonomike të shkaktuar nga kriza e koronavirusit është vërtetuar në bazë të një analize serioze dhe të plotë, përmes së cilës Qeveria i ka definuar numrat e vendeve të rrezikuara të punës dhe të ndërmarrjeve.
Kështu qëndron në kumtesën e LSDM-së, ku shtohet se prandaj, paketa përfshin ndihmë për të paktën 250.000 punëtorë dhe rreth 35.000 kompani, që është pothuajse 50 për qind e personave të regjistruar juridikë në sektorin privat.
Masat ekonomike ofrojnë ndihmë për punëtorët, ekonominë, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, dyqanet, artizanët, sportistët dhe artistët dhe të gjithë qytetarët që janë pjesë e ekonomisë informale.
“Ruajtja e çdo vendi të punës është thelbësore dhe për këtë arsye janë siguruar 14.500 denarë të ardhura për të gjithë ata që do të preken nga kriza. Sipas parimit të solidaritetit, funksionarët e institucioneve shtetërore dhe publike do të marrin një pagë minimale prej 14.500 denarë në dy muajt e ardhshëm”, qëndron në kumtesën e LSDM-së.
Sipas tyre është e qartë diferenca midis masave të marra nga Qeveria, të cilat ofrojnë mbështetje mujore prej 60 milionë eurove dhe propozimeve të VMRO DPMNE-së me mbështetje të turpshme për gati 50 për qind më pak nga ajo që e kemi siguruar ne.
LSDM thekson se askush nuk është vetëm dhe askush nuk do të harrohet. Shteti është këtu për të gjithë qytetarët dhe bën gjithçka që të gjithë më lehtë ta kalojnë krizën.