Vjen nga Gjakova dhe thotë se është hasjane. E martuar dhe ka dy vajza, ndërsa jeton në periferi të Prizrenit bashkë me prindërit e burrit dhe motrat. Jashtë skenës një nënë, grua, bashkëshorte, amvise…, thotë se edhe ajo është sikurse secili njeri, e thjeshtë. Luljeta Shala rrëfehet për rubkrikën InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si lindi pasioni dhe dëshira për t’u marrë me muzikë?
Si e vogël e kam pasur pasion muzikën dhe talentin tim e ka zbuluar babai im.
KOHA: Mbani mend këngën e parë që keni kënduar?
E mbaj mend pak. Ka qenë një këngë e kënduar nga bilbilat: “në yll të mëngjesit në pritë të kam dal, vjen si erë e malit e hy në zemrën time ti moj vajzë si hanë…”. Kaq e mbaj mend (qesh).
KOHA: Shumë këngë të raportuarit tuaj janë të pastra shqipe e madje edhe patriotike, pse?
Sepse jam rritur në frymën e muzikës popullore folklorike prandaj.
KOHA: Me punën tuaj keni krijuar identitetin në muzikën tonë folklorike e popullore, a keni kënduar ndonjë këngë me veshje kombëtare e me plis në kokë, nëse jo a do e bënit një videoprojekt të tillë?
Me thënë të drejtën nëpër koncerte dhe festival kam performuar me veshje kombëtare dhe me plis në kokë, kështu videoklip nuk kam bërë por do doja të bëj sepse më pëlqen të dal në skenë e tillë.
KOHA: Së fundi keni hedhur në treg një videoprojekt të ri, na trego më tepër për krijimin e kësaj kënge?
Sapo kam sjellë videon time të re të quajtur ‘E din ti’, kënga është realizuar tek Xheni, me tekst nga Sami Aliu dhe video nga Max Production.
KOHA: Ju kemi parë në potpuri për festat e fundvitit, po ndonjë duet keni në plan të realizoni?
Po kam marrë pjesë në disa prej tyre kam shumë ftesa por nuk kam arritur tek të gjitha, të gjitha këngët janë solo nuk kam bashkëpunim këtë vit.
KOHA: Ju kemi përcjellë se merrni pjesë në shumë koncerte, dasma dhe gazmende familjare në trojet etnike shqiptare dhe në diasporë. Cilin nga ata do më dallojë dhe pse?
Më shumë jam e pranishme nëpër ahengje familjare edhe atë në Maqedoni, se di ku kam shkuar ka kaluar shumë mirë nuk mund të bëj dallime.
KOHA: Kush është mbështetja jote kryesore?
Mbështetja ime kryesore dhe krahu im i djathtë është bashkëshorti im Albani dhe familja ime.
KOHA: Kush i punon këngët tuaja dhe cilat janë planet për vitin e ardhshëm?
Këngët e mia zakonisht janë punua dhe do punohen nga Xheni në Shkup, jam e kënaqur nga puna e tij dhe do vazhdoj edhe më tej.
KOHA: Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj dhe prurjet e reja muzikore, si dhe mesazhi për ato?
Këngëtarët e rinj janë mjaftë shumë secili është i mirë në mënyrën e vet nuk mund të them ndonjë gjë, do doja të ju them që të punojnë sa më shumë në fushën e muzikës të investojnë e të përkushtohen me zemër punës që të arrijnë suksese.