Profesori Aurel Plasari do thoshte: “Ishte vetëflijues vullnetar me vetëdije të plotë për ruajtjen e vlerave të kombit. Flijimi i vetes për idealet e kombit, Mid’hat Frashëri ishte nga ata aktorë veprues që bënë historinë e Kombit. Një personalitet si Mid’hat Frashëri, i cili ndonëse aristokrat nuk lakmoi kurrë kamje, në jetën e tij”. Po sot? Ata që thirren në komb e interesa kombëtare si i shohim? Të pangopur. Të rrethuar me afera e skandale korruptive dhe keq, të lidhur rëndë me krimin e kriminelë, që asgjë të përbashkët s’kanë me interesat e njerëzve
Nga Nazim RASHIDI
Më erdhi shumë keq që këtë herë nuk shkova dot tek panairi i librit në Tiranë. Kishte qenë shumë rrëmujë, vizitorë pa fund mes librash e titujsh të rinj e të vjetër, por sërish është vend ku mbi të gjitha ndihesh pjesë e universit të pafund të dijes, por dhe ndihesh si pjesë e mendimit botëror (për aq sa mundet kjo), sepse autorët e librat e debatuar janë aty. Si blen dot të gjitha, por të paktën është ai momenti magjik, i shfletimit, i zbulimit të tyre dhe mbi të gjitha vinë në shqip.
Përveç kësaj, panairi mbledh dhe letrat shqipe, gjithë botimet e fushave të ndryshme.
Këtë vit në qendër ishin botimet e veprës së Mid’hat Frashërit. Dhe fillimi i javës më rezervoi një surprizë. Në tavolinën e punës i gjeta tre librat e një prej figurave të rëndësishme të mendimit dhe kulturës shqiptare. Çfarë gëzimi! Një dhuratë nga një mik i dashur, të cilin nuk e harron më kurrë.
Dhe e gjitha kjo, kur jemi në javën më të rëndësishme për historinë e shqiptarëve, historinë më të vonë, ku në rrafshin kohor prej disa vjetësh, intelektualët e kohës, të diturit e kohës pa dallim feje e krahine, krijua Alfabetin e më pas edhe shtetin, dy elemente të rëndësishme për identitetin në kontekst modern.
Shënimeve të ndryshme të këtyre datave i parapriu sjellja e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Tiranë. Një figurë gjigande e kulturës tonë, një figurë e diskutuar për veprimin e tij politik, por parë nga sot – një figurë i cili ka lënë një gur të madh në ndërtimin e Kalasë sonë të përbashkët.
Nuk do flas më shumë për Mid’hat Frashërin – për atë që përfaqëson, por për atë se çfarë na mëson ai me veprat, por dhe me personalitetin e tij. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse figurat e tilla janë nyjet që na lidhin njëri me tjetrin dhe krijojnë atë vargun e fortë e të pandashëm kudo ku jemi, duke krijuar mendësinë dhe kulturën e përbashkët. Ose thjeshte kombin. Jetojmë në një kohë të çartur vlerash, ku politika, politikanët dhe politikbërja janë në vëmendjen e njerëzve mbase si asnjëherë më parë.
Nëse në teori kjo do të ishte diçka e mirë, në kuptimin e asaj se njerëzit duke qenë aq afër politikës, do të bëjnë presione që ajo të ishte më e përgjegjshme, por ky nuk është rasti.
Vëmendja është, për arsye krejt të kundërta. Për anën e fëlliqur të politikës, ku ka mashtrime, korrupsion madje-madje edhe mistere të një sërë veprimeve dhe ngjarjeve që nuk kanë asnjë përgjigje.
E di, më duhet se po përlyej momentin e bukur të vëmendjes së rikthyer ndaj Mid’hat Frashërit dhe veprës së tij, por duhet hequr disa paralele. Dhe ja, i gjithë fokusi sot për Mid’hat Frashërin është te vepra. Çfarë ka lënë pas.
Profesori im i nderuar, por dhe një nga studiuesit e rëndësishëm të kohës sonë, Aurel Plasari do thoshte: “Ishte vetëflijues vullnetar me vetëdije të plotë për ruajtjen e vlerave të kombit. Flijimi i vetes për idealet e kombit, Mid’hat Frashëri ishte nga ata aktorë veprues që bënë historinë e Kombit. Një personalitet si Mid’hat Frashëri, i cili ndonëse aristokrat nuk lakmoi kurrë kamje, në jetën e tij”.
Po sot? Ata që thirren në komb e interesa kombëtare si i shohim? Të pangopur. Të rrethuar me afera e skandale korruptive dhe keq, të lidhur rëndë me krimin e kriminelë, që asgjë të përbashkët s’kanë me interesat e njerëzve.
Nuk jetojmë sot në kohë romantike apo rilindase, të tjera breza e të tjera interesa janë para nesh. Jemi në kohën kur shqiptarët dominojnë muzikën globale, bëjnë emër në sporte, janë kampionë, botojnë libra që ndikojnë edhe mendimin global, por sërish disa parime elementare vlejnë. Dinjiteti. Dinjiteti personal e politik, i njerëzve që drejtojnë me kombin. Vizioni e dëshira e thellë për të bërë mirë e për t’u mbajtur mend për mirë – nuk ekziston. Dhe këto parime janë lëkundur.
“Kryevepra që i dhuroi kombit (Mid’hat Frashëri) ishte personaliteti i tij. Ai ishte kulti i kombit. Gjenitë si ai, të mëdhenj, janë sipërmarrës provash, për të cilët historia ka treguar që ka patur edhe dështime po edhe suksese të shënuara”, thotë Aurel Plasari.
E thekson këtë pjesë, ma merr mendja profesori, për të thënë se është në rregull edhe nëse dështon edhe në ide edhe në veprim. Sepse, nëse nuk provon e përpiqesh, s’ka se si ta dish se ç’farë ia vlen. Por dallimi është se “Mid’hat Frashëri ishte promovues i kultit të kombit. Promovim i këtij kulti lexohet si mision i cili ia ka përshkruar tej e tej krijimtarinë e tij. Zgjoi në shpirtin e njerëzve me rrënjë të thella ndjenjën e shqiptarizmës, ka ditur të ekzaltojë çdo gjë në lidhje me shqiptarësinë. Qe evropian mes europianëve, por jo se jetoi në Shqipëri por sepse diti të ishte një model jetese”.
Е tani, bëni krahasimin me të tashmit tanë politikanë apo dhe intelektualë. Që jo e jo që vlerat i kanë të lëkundura, por me kombin e kombtarizmën abuzojnë.
Mid’hat Frashëri, ose Lumo Skëndo emri i tij i penës, vinte nga një familje e rëndësishme kombëtare. Naimin, Samiun i kishte axhë, dhe babë Abdyl Frashërin. Kishte një sens të theksuar përkatësie. I rritur me frymën kombëtare të gjithë atyre lëvizjeve të kohës, na mëson se sa e rëndësishme është të rritesh e edukohesh në mënyrë të duhur.
Por vëllezërit Frashëri janë baballarët e kombit. Si rrjedhojë dhe ne jemi pjesë e të njëjtës familje. Se kombet kështu ndërlidhen, familje pas familje, duke u pasuruar nga njëra-tjera.
Por çështja është sa e respektojmë dhe sendërtojmë ne sot këtë familje tonën të përbashkët.
Jemi në kohën kur goja e politikës është plot Evropë, por asgjë evropiane s’ka rreth nesh.
Jemi në kohën kur na duhet përparim dhe përkushtim dhe veç punë e inovacion nuk ka. Do ta përsëris edhe një herë vlerësimin e profesor Aurel Plasarit se Mid’hat Frashëri “qe evropian mes europianëve, por jo se jetoi në Shqipëri, por sepse diti të ishte një model jetese”.
Asnjë sjellje e tillë sot, nga ata që do të duhet të jenë modelet e të ardhmes. Dhe kur heqim paralele, nuk duhet harrurar edhe fakti se Mid’hat Frashëri, trajtohet edhe me kontraversialitet. Të qenurit në krye të Ballit Kombëtar, sjell hije për veprimet politike sidomos për lidhjet me Gjermaninë fashiste. Të qenurit antifashist ishte vlerë e kohës atëherë dhe sot (jo diktatura komuniste, që mos ketë keqkuptime, por antifashizmi).
Pra, mund të themi se përherë veprimet dhe gjykimet politike, sigurisht të lidhur edhe me kontekstin e kohës, do të krijojnë dritëhije për liderët dhe politikanët. Por esenca mbetet se çfarë lënë pas? Sigurisht në kontekst historik do të përmenden të gjitha. Por ama pyetja e madhe është për se do të kujtohen?
Mid’hat Frashëri ishte në krye të Kongresit të Manastirit. Ishte firmëtar i Pavarësisë. Ishte botues e autor. Ishte librar. I la shqiptarëve pasurinë, libra, mendime, kauza. I nxiti të ndërtojnë shkolla, institucione, shtet. Është ende frymëzim. Po këta figurat sot, çfarë po lënë?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)