Franca është shprehur e gatshme për të ndërmjetësuar për konfliktin në veri të Sirisë, aty ku Turqia nisi një ofensivë ushtarake ndaj luftëtarëve kurdë në janar. Ankaraja po lufton për të dëbuar milicinë kurde, të cilën e sheh si një zgjatje të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Presidenti francez, Emmanuel Macron u takua me anëtarë të Forcave Demokratike Siriane (që kanë shumicë kurde) dhe tha se ka shpresë për një dialog mes Turqisë dhe milicisë. Presidenti tha se Franca mbështet stabilizimin e zonës së sigurisë në veri-lindje të Sirisë, për të ndaluar që ISIS-i të rifitojë fuqinë. Zyra e shtypit e Presidentit të Francës ka thënë se Macron falenderoi Forcat Demokratike Siriane për sakrificat në luftën kundër Shtetit Islamik.