Dy penallti të shpërdoruara nga Dybala në dy ndeshje të njëpasnjëshme në Seria A, me vlerë përcaktuese në fatin e Juventusit nuk mund të jenë tjetër veçse një mallkim për yllin e “Zonjës së Vjetër”. “Fajtorët”, hipnotizuesit e argjentinasit janë dy portierëve shqiptarë që mbrojnë portën e përfaqësueses kuqezi, por që njëherësh janë titullarë me ekipet e tyre në Seria A. Një javë më parë ishte Etrit Berisha ai që në minutën e 85’ ka hipnotizuar yllin e Juventus, Dybala, duke pritur penalltinë e ekzekutuar nga argjentinasi, për t’i dhuruar ekipit të tij, Atalantës, një barazim dhe një pikë të vlefshme në javën e 7-të të kampionatit.
Sot në Torino, një javë pas asaj ndalese në Bergamo, ishte portieri tjetër i përfaqësueses së Shqipërisë, Thomas Strakosha, titullar në portën e Lazio që ka rrëzuar kampionët në fuqi të Italisë, teksa ka bërë mrekullinë në momentet e fundit të ndeshjes, duke i dhuruar fitoren ekipit të tij. Në të 90+7’ Dybala gjuan nga pika e bardhë e penalltisë, pret Strakosha! Shpërthen në gëzim e festë skuadra laziale që fiton në transfertë përballë kampionëve në fuqi të Italisë. Një fitore në përballje direkte, që i ka dhuruar kryqytetasve vendin e tretë në klasifikim, me pikë të barabarta me Juventus, që renditet në vend të dytë me 19 pikë.