Shkup, 9 nëntor – Informatat e mira dhe me kohë janë të një rëndësie të madhe në çdo demokraci moderne, ndërsa lajmet e rrjeshme i minojnë proceset demokratike. E vërteta është arma kryesore kundër lajmeve të rrejshme, theksoi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski në Sofje, ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare.
Në panel diskutimin kushtuar lajmeve të rrejshme në suaza të fushatës parazgjedhore, Mançevski foli për fushatat zgjedhore të cilat gjatë viteve të kaluara u zhvilluan në Maqedoni, si dhe në fushatën e referendumit dhe i prezantoi rreziqet me të cilat përballemi me produksionin e përditshëm të lajmeve të rrejshme, posaçërisht nga portalet e internetit dhe rrjetet sociale.
“Ishim dëshmitarë të liferimit ditor dhe aktiv të informatave të rrejshme përmes rrjeteve sociale nga profile anonime, të cilat patën për qëllim të ndikojnë në daljen e votuesve gjatë referendumit. Lëvizja ‘Bojkotoj’ përmes dhjetëra profileve aktive për kohë të shkurtë arriti ta vërshojë rrjetin social ‘Tuiter’ me numër të madh porosish, mes të cilave pati edhe informata të rrejshme të targetuara. Një numër i madh i profileve të cilat proklamohen si mbështetës të ‘Bojkotoj’ patën aktivitet automatik, përkatësisht u besua se prapa tyre nuk qëndrojnë njerëz të vërtetë, por programe kompjuterike. Shumica e këtyre profileve aktive ndanin ueb-faqe proruse si mbështetje për kauzën e tyre. Përdorimi më i qartë i lajmeve të rrejshme në këtë periudhë ishte fotografia e cila u shpërnda në ‘Tuiter’ me gjoja dorëheqjen e MPJ Dimitrov, e cila për kohë të shkurtë u publikua në njërën nga televizionet me renome në Maqedoni. Të njejtat profile disa herë ndanin edhe fotografi të njerëzve të cilët kanë votuar në referendum së bashku me fjalim urrejtës dhe kërcënime për votuesit”, theksoi Mançevski.
Sipas tij, lajmet e rrejshme çdoherë e transmetojnë porosinë e nacionalizmit, ndarjes, konfliktit, emocioneve të fuqishme, urrejtjes, problemeve etnike…
Në fjalimin në Sofje, siç transmetoi MSHIA, Mançevski foli edhe për masat që i ndërmori Qeveria në luftën kundër lajmeve të rrejshme.