Anëtarët e shoqatës qytetare të invalidëve të Luftës Antifashiste në Dibër vazhdimisht në apelet e tyre kanë kërkuar si nga institucionet kompetente, ashtu edhe nga popullata të mbrohet nga mjetet eksplozive, dhe bombat të cilat kanë ngelë në këto troje pas luftërave të asgjësohen
Vjollca SADIKU
Dibër, 25 shtator – Rreziqet nga mjetet eksplozive nga Lufta e Parë dhe Lufta e dytë Botërore në Dibër dhe rajonin më të gjerë vazhdojnë të jenë prezente edhe ditëve të sotme. Këtë e tregoi edhe gjetja e gjashtë bombave nga Lufta e Dytë Botërore, këto ditë në afërsi të bregut të Liqenit të Dibrës. Dekada me radhë dibranët në vazhdimësi janë ballafaquar me rreziqet në fjalë, dhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe në periudhën deri në vitin 1970 ka patur edhe viktima dhe plagosje.
Anëtarët e shoqatës qytetare të invalidëve të Luftës antifashiste në Dibër vazhdimisht në apelet e tyre kanë kërkuar si nga institucionet kompetente, ashtu edhe nga popullata të mbrohet nga mjetet eksplozive, dhe bombat të cilat kanë ngelë në këto troje pas luftërave të asgjësohen. Duke marrë parasysh se në Dibër dhe rajon kanë kaluar shumë ushtri të ndryshme që nga Lufta e Parë Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë botërore, dhe ka patur edhe luftime të shumta, është vlerësuar se kanë ngelur shumë materiale dhe armatime në këto vise. Anëtari i shoqatës, Ramazan Popinara thotë se vazhdon të jetë prezent rreziku nga mjetet eksplozive të ngelura sidomos nga Lufta e Dytë botërore.
“Në seancat e shoqatës gjithmonë kemi kërkuar që institucionet të merren me këtë problem, të bëjnë gjithçka që të gjejnë dhe të pastrojnë këta municione të cilat edhe më tej janë të rrezikshme për popullatën. Për shkak të bombave që janë gjetur në Dibër dhe fshatrat e Dibrës kanë pësuar shumë dibran e veçmas të rinj. Janë regjistruar edhe viktima por shumë të rinj dibran kanë pësuar dëmtime trupore dhe sot janë invalid”, thotë Popinara, ndërsa shton se vet fakti që këto ditë në periferi të Dibrës janë gjetur bomba nga Lufta e Dytë botërore tregon se rreziku ekziston. Të dhënat tregojnë se mbi 30 fëmijë dhe të rinj pas Luftës së Dytë Botërore kanë pësuar lëndime trupore në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, thotë ai “Në përcaktimet tona gjithmonë si shoqatë kërkojmë që të rritet vetëdija e prindërve dhe fëmijëve për tu mbrojtur nga ky rrezik i hapur. Vlerësimet tona janë se municione të ndryshme që paraqesin rrezik për njeriun ka në shtëpitë e vjetra të Dibrës, në objekte ndihmëse, sidomos në familjet të cilët janë marrë me blegtori por edhe nëpër fushën e Dibrës. Duke marrë parasysh këtë situatë edhe më tutje apelojmë për një vetëdije maksimale për tu mbrojtur nga kjo e keqe”, shprehet Popinara.
Viteve të fundit edhe pse Lufta e parë dhe Lufta e dytë botërore kanë ndodhur dekada më parë, në Dibër dhe rajon ka patur viktima nga municionet në fjalë. Në fshatin Ballancë, duke prishur një shtëpi të vjetër, një bombë italiane e Luftës së Dytë Botërore la të verbër një të ri. Në qytetin e Dibrës disa herë janë gjetur municione e sidomos bomba italiane. Rasti i fundit kur u gjetën gjashtë bomba nga Lufta e Dytë botërore në bregun e Liqenit të Dibrës tregon se rreziqet nga municionet të së kaluarës janë prezente edhe sot e kësaj dite. (koha.mk)