Igli Tare sot konsiderohet si një nga drejtorët sportivë më të mirë në Europë, jo vetëm në Itali. Këtë e ka pohuar edhe një “ujk i vjetër” si Luçiano Moxhi, që shpesh i ka thurur elozhe shqiptarit. Ndërkohë, kujtojmë se në të kaluarën ai ka bërë goditje të jashtëzakonshme, me Hernanesin, Klosen, Zaraten, De Vrajin, Bilian etj. Sekreti i Tares është që ka durim me të rinjtë, intuitë për të vlerësuar si duhet potencialin e tyre, por edhe guximin për të rrezikuar te lojtarë që mund të kenë pësuar ulje në karrierë për motive nga më të ndryshmet.
Gjatë verës që shkoi, Igli Tare mori ofertë konkrete nga klubi i Milanit. Maldini u përpoq për ditë të tëra ta bindte ish-kapitenin e Shqipërisë që të merrte detyrën e drejtorit sportiv te “Djalli” dhe të ndërtonte ekipin e sezonit të ri.
Tare u josh nga oferta, qoftë edhe për faktin që në rininë e tij ka qenë një tifoz i Milanit, por në fund nuk i tradhtoi ngjyrat bardhekaltër. Lotito, ndërkaq, e shpërbleu duke i dhënë më tepër pavarësi, por edhe duke i rritur ndjeshëm rrogën.