Omer XHAFERI
Shkup, 10 janar – Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për mbrojtjen e informatorëve në mbledhjen e fundit të Qeverisë mori pëlqimin që i njëjtit të futet në procedurë parlamentare. Ndryshimi i dispozitave të këtij Ligji, i cili në fuqi është nga nëntori i vitit 2015, synon mbrojtjen e denoncuesve, të drejtat e informatorëve, si dhe veprimet (obligimet) e institucioneve. Me plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e informatorëve, siç thuhet ne propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, pritet të bëhet harmonizimi me standardet ndërkombëtare, gjegjësisht Qeveria në mënyrë të qartë e vërtetoi politikën në luftën kundër korrupsionit.
“Qëllimi kryesor i Ligjit në fjalë është harmonizimi i tij me rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Venecias, respektivisht tejkalimi i anomalive dhe sigurimi i brendshëm i dispozitave ligjore që i rregullojnë kanalet për mbrojtjen e denoncuesve dhe mbrojtjen e informatorëve”, thuhet në arsyetimin e Propozim-ligjit. Mes tjerash, pasi këto ndryshime të miratohen në Parlament, denoncuesit dhe informatorët që vijnë do të kenë mundësi që të paraqesin shkeljet ligjore, të cilat lidhen me interesin publik e që ndodhin në sektorin publik apo atë privat. Normat e Ligjit për mbrojtjen e informatorëve, të cilat deputetët duhet t’i votojnë, po ashtu qartë do t’i definojnë nocionet “institucion” dhe “person juridik”.
“Nën kuptim ‘institucion’ mendohet organ i pushtetit qendror apo ai lokal, organ tjetër shtetëror i themeluar në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet, agjenci, fond, ndërmarrje shtetëror apo publike e themeluar nga shtetit apo komuna, Qyteti i Shkupit apo komuna brenda tij. Nga ana tjetër në nocion ‘person juridik’ mendohet person juridik i regjistruar në Regjistrin tregtar apo regjistër tjetër i personave juridik, të cilën e udhëheq Regjistri Qendror i Maqedonisë”, thuhet në arsyetimin ligjor. Ndryshe, siç parashihet në këtë Ligj, Komision shtetëror për luftimin e korrupsionit është i obliguar të dorëzoj raport para Parlamentit, për pranimin e denoncimeve nga ana e informatorëve në kuadër të raportit vjetor të punës. Mbikëqyrjet e zbatimit të dispozitave të këtij Ligji do t’i realizojë Ministria e Drejtësisë. (koha.mk)