John McEnroe, një nga ikonat e tenisit botëror, i është rikthyer polemikave me tenisten amerikane Serena Williams, me të cilën u përplas një vit më parë. “Nëse do të stërvitesha rregullisht për pak kohë dhe nëse do të punoja fort, mund ta fitoj një duel me Serena Williams edhe pse po i afrohem moshës 60 vjeç”, ka thënë sot McEnroe gjatë një interviste televizive, duke hapur plagët e vjetra.
Një përballje e vjetër kjo mes 7 herë fituesit të turneve grand slam me tenisten amerikane, aq sa presidenti amerikan Donald Trump, para se të ngjitej në këtë detyrë, i ofroi 1 milionë dollarë McEnroe për të sfiduar Williams. Kjo përplasje ka nisur që kur Serena u shpreh se nuk duhet të ketë dallime mes dy gjinive dhe se ajo mund të duelojë si e barabartë me meshkujt.