“Shkarravinat i ke njësoj si ato bëzhdilat nën sofrën e fukarait!”, paçka se shkrova për prapësitë dhe vlerat tona…, paçka se gjuha shqipe u bë e folme dhe e shkruar zyrtare në Maqedoni, kur sot unë, ti dhe të tjerët shqiptarë, “sabah e aksham” devijojmë nga standardi i saj, paçka se i ngarkova me otomanizma, paçka se tabelat e rrugëve e të dyqaneve dhe tabelat e tjera (na) i shkruan shqip, kur ata që duhet t’i lexojnë ikën nga vendi dhe nuk duken atypari
Nga Fadil LUSHI
Ju të dashur dhe të nderuar lexues të mi të paanshëm, ju që për një vit “kënduat” shkrimet e mia, ju që u “bezdisët me shkarravinat” e mia, besoj se do keni durimin ta lexoni edhe këtë vështrim për këtë fundvit që është në ikje e sipër. Mos harroni se ky vit na solli një “qerre me habere” për “mesele” gjithfarëshe. Të gjithë ata që kanë kujtesë pamore dhe dëgjimore thanë se disa prej këtyre “habereve” ishin të rreme, ca prej tyre u sajuan në mexhliset e haxhi-babës, disa prej tyre ishin”çerek” të vërteta, ca ishin të mangëta e me paterica dhe të tjerat u konsideruan si të vërteta të pamohueshme. Ju kujtohet 1janari i këtij viti që po na ik kokulur, kur “pranë nesh u duk moti i ri”, njësoj si ajo nusja me tela, e cila qe e “detyruar” që akëcilit shqiptar t’i “përkulej me temena” pavarësisht nga mosha, pavarësisht se bëhej fjalë për të “rrjepëtin a të shqepëtin”, për politikanin, për intelektualin, për bujkun, për zejtarin, për “bostanxhiun”, për daulltarin, për “shehërliun” e katundarin, për vjehrrën(ani se me të asnjëherë nuk shkoi a kaloi mirë), për foshnjat e djepit dhe në veçanti për ofiqarin e gjendjes civile. Miku im i dashur! A mos vallë nuk do të thuash se ky vit a kjo “nusja jonë”, që kur u duk këtejpari kishte harruar të sjellë”pajën a plaçkat” me vete, a mos vallë u karakterizua me mungesën e politikëbërjessë mirëfilltë si dhe me atë varfërinë e skajshme! Të kujtohet “sesa e bukur dhe e shëndoshë ishte nusja e 1 janarit!?” Të kujtohet se si ne “hiç, ama hiç”fare nuk u kujdesëm për të, se si ne nuk e çuam në të pamë, mos vallë nuk doli një burrë atypari të thoshte një “llaf” se kur ky vit që zëvendësoi atë paraprakun na erdhi “mendërisht i shëndoshë”, e tani na ik si një i moshuar i sëmurë…, sikur nuk e kuruam ashtu si duhet, ashtu me tamam njësoj si shkrimet, vështrimet, opinionet a shkarravinat e autorit, që asnjëherë nuk merituan një “zile që t’ia varim në qafë”, shkrime ku do llafosej malli i autorit,për një “muhabet” kuvend burrash, ku do të “këndohej malli”për një zë të “kambanës së kushtrimit”, ku do ftillohej malli i tij për një “lot foshnje të gjirit!”
Tekefundit, paçka se unë për një vit shkrova mirë a keq, kur miku im “nuk i kuptoi me tamam”, edhe pse u mundua “t’i këndonte mes rreshtash”, paçka se unë gjatë gjithë një viti të sëmurë, nuk binda njeri se shkrimet i bëra pa hile…, aq sa më lejoi “takati” i higjienës së mendjes sime, paçka se bëra shkrime kur ato pasi u lexuan nga im vëllaçko…, më tha: “Shkarravinat i ke njësoj si ato bëzhdilat nën sofrën e fukarait!”, paçka se shkrova për prapësitë dhe vlerat tona…, paçka se gjuha shqipe u bë e folme dhe e shkruar zyrtare në Maqedoni, kur sot unë, ti dhe të tjerët shqiptarë, “sabah e aksham” devijojmë nga standardi i saj, paçka se i ngarkova me otomanizma, paçka se tabelat e rrugëve e të dyqaneve dhe tabelat e tjera (na) i shkruan shqip, kur ata që duhet t’i lexojnë ikën nga vendi dhe nuk duken atypari, paçka se e kemi këtë kur nuk kemi një tjetër ligj, që do ta mbronte nga ata që kur e flasin e denigrojnë, paçka se Edvini “lëshoi mjekrën e bardhë e u bë haxhi” pavarësisht se asnjëherë nuk vajti as në Jerusalem e as në Mekë e Medinë, paçka se unë bëra shkrimin për këtë fund vit kur nga ai “nuk doli gjë e hairit”, paçka se u arrestua prokurorja speciale, Katica Janeva (për shpërdorim të detyrës në rastin “Zhvatja”), paçka se ajo gjatë arrestimit, meshkujve të ngarkuar me kompleksin frojdian dhe atë shovinizmin e tyre mashkullor, ua”tregoi gishtin e madh të dorës” së saj, mu para syve të kureshtarëve, paçka se gjatë arrestimit,prokuroria publike e Shkupit, “bëri teatër në qiell të hapur” mu aty pranë lagjes së Kozles, një teatër njësoj si ai teatri antik grek!? Paçka se prokurori publik i Shkupit ishte “vetë aktor, vetë regjisor, vetë polic me kostum të qytetarit të rëndomtë”, paçka se “agjentët” luajtën rolin njësoj sitë gladiatorëve të armatosur që dikur qëndronin përballë njëri-tjetrit në arenën e romakëve…, prokurori sikur harroi se “perandori” nuk do të urdhërojë burgosjen e saj së paku për një kohë caktuar!Paçka se në qytezat tona ka shkolla nëntëvjeçare, të mesme dhe universitete, ca private ca publike dhe të tjerë privato-publik…, paçka se këto institucione, njihen ndërkombëtarisht, paçka se ato “ofrojnë studime cilësore, paçka se ato kanë staf akademik të mirëfilltë, paçka se ato ofrojnë metoda bashkëkohore të mësimdhënies dhe shërbime të tjera të avancuara” (njësoj si ato të universiteteve të Evropës), paçka se në “gjirin” e tyre ka me qindra programe studimore (programe që ndoshta nuk i duhen tregut), kur Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve(i njohur me shkurtesën “PISA”-Programme for International Student Assessment) të gjithë nxënësit nga Gadishulli Ilirik i rangoi në bisht të listës, dhe sikur nuk u bë “hataja!”…, paçka se u nënshkrua “Marrëveshja e Prespës”, e Maqedonia e Veriut nuk mori ftesën për bisedime, paçka se Shkupi e ndërroi emrin,e miku i Serbisë, z. Makron, e”sikterisi bashkë me shqiptarët e shtetit amë”, paçka se në “Qeverinë e Republikës së Maqedonisë u nënshkrua Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim” mes shtetit “biblik” të maqedonasve dhe Bullgarisë, kur ditë më parë diku në kryeqendrën bullgare, disa akademikë “shovinistë” të Akademisë Bullgare të Shkencave (ABSH) thanë me plotë gojën: “Gjuha maqedonase është dialekt bullgar!” (a një e folme krahinore…, dhe hiç gjë tjetër-nënvizim ynë).
Paçka se dhelprës kur i mori flakë bishti…, bërtiti: “O milet ikni se u kall dynjaja!” dhe “dynjaja” nuk u kall!…, paçka se tranzicionit politik të stërzgjatur, të bezdisshëm dhe të sëmurë nuk iu gjet “ilaçi dhe nuk iu kall bishti”, një tranzicion,”lëre që nuk përfundon, lëre që nuk kurohet, po edhe nuk vdes!?”, paçka se partitë politike, që në çdo cikël zgjedhor nuk marrin “aminin” e sovranit e nuk u “kallen bishtat!”…, madje-madje kur atyre me të vërtetë u “kallen”, ata nuk përtojnë të thonë kinse të tjerët ua vunë “fitilin e dinamitit!”
I nderuar miku im, unë do ta përfundoj këtë shkrim, sepse “frikem” se dikush ia ngjet”bishtin” e ia vë flakën… dhe mandej do thonë se ky artikullshkruesi, paska dalë “toptan lugat”! Miku im i dashur! Kaq për këtë mot! GËZUAR!! (koha.mk)