Shkup, 17 korrik – Skuadra e FC Shkupi me optimizëm e pret ndeshjen kthyese kundër Gllazgou Renxhers, e cila zhvillohet sot në stadiumin “Filipi i dytë” në Shkup. Bardhekaltërit do të tentojnë të përmbysin negativin nga ndeshja e parë, kur pësuan disfatë me 2-0, rezultat i cili nuk është i paarritshëm. Kështu të paktën thonë nga tabori i “pëllumbave”, respektivisht trajneri Zekirja Ramadani dhe kapiteni Suad Zendeli.
Trajneri Ramadani thotë se sot lojtarët e tij duhet të jenë më agresiv kundrejt kundërshtarit dhe të tentojnë të shënojnë gol në pjesën e parë. “Pas ndeshjes së parë që e zhvilluam të enjten, nuk kemi pasur shumë kohë për përgatitje, por për freski dhe rikuperim. Kur them rikuperim mendoj te lëndimi i Lamçevskit, i cili ankohet në lëndim, por besoj se do të jetë i gatshëm për të luajtur. Gjithashtu kohën që e kemi pasur, e kemi shfrytëzuar për ti eliminuar gabimet nga ndeshja e parë. E dimë se Gllazgou Renxhersi ka epërsi prej 2-0, por ne besojmë se mund të luajmë mirë edhe në ndeshjen kthyese. U kam thënë lojtarëve se duhet të jenë më agresiv dhe të tentojnë të shënojnë gol në pjesën e parë”, theksoi Ramadani.
Edhe kapiteni i FC Shkupit, portieri Suad Zendeli beson se ai dhe shokët e tij, mund të arrijnë befasi në ndeshjen e sotme. E dimë të gjithë se luajmë kundër një rivali, por e dimë se mund të luajmë mirë. Këtë e dëshmuam në ndeshjen e parë në “Ibrox”. Jemi sportist dhe besojmë në kualitetet tona dhe do të japim gjithçka nga vetja që të përmbysim rezultatin. Ajo që na jep krah për të bërë befasinë, do të jetë përkrahja e publikut që do ta kemi dhe me ndihmën e atyre do të jemi edhe më të fortë. Por, edhe nëse nuk arrijmë të vazhdojmë tutje, të paktën tua vështirësojmë Renxhersin plasmanin në raundin tjetër”, deklaroi Zendeli. Ndeshja kthyese ndërmjet FC Shkupi dhe Gllazgou Renxhers, do të zhvillohet sot në “Filipi i dytë” në ora 17.55.