Bruksel, 26 maj – Anketa e Parlamentit Evropian, që do të publikohet gjatë muajit të ardhshëm zbulon se 58 për qind e qytetarëve evropian kanë vështirësi financiare pasi ka filluar kriza me koronavirusin e ri, si dhe se mbi dy të tretat kërkojnë kompetenca më të mëdha për Bashkimin Evropian në luftën kundër krizës.
Ky hulumtim i mendimit publik të qytetarëve të BE-së është realizuar nga fundi i prillit.
Qytetarët janë prononcuar se BE-ja duhet të ketë më shumë kompetenca në këtë krizë sanitare. Në BE, politika shëndetësore është një politikë e rreptë kombëtare, por kriza me koronavirusin e ri ka treguar mungesë shqetësuese të koordinimit, e cila pasqyrohet në opinionin publik të qytetarëve evropianë.
Gjashtëdhjetë e nëntë për qind e qytetarëve pajtohen që nevojiten më shumë kompetenca në politikën shëndetësore, ndërsa vetëm 22 për qind janë prononcuar kundër kësaj mundësie.
Qytetarët evropianë kryesisht janë zhgënjyer nga mungesa e solidaritetit midis vendeve anëtare të BE-së, ndërsa vetëm 42 për qind prej tyre janë të kënaqur me masat e Unionit në ballafaqimin me krizën.
Ata vlerësojnë se BE duhet të kujdeset për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe alokimin e fondeve për kërkime shkencore dhe mjekësore, siç është zhvillimi i vaksinave dhe trajtimeve për virusin. Qytetarët presin që vendet anëtare të punojnë më ngushtë në këtë fushë.
Pesëdhjetë e shtatë për qind e qytetarëve janë të pakënaqur me nivelin e solidaritetit në BE, shkalla më e lartë e zhgënjimit është regjistruar në Itali, Spanjë dhe Greqi, por edhe Austri, Belgjikë dhe Suedi. Nga ana tjetër, irlandezët, danezët, holandezët dhe portugezët kanë deklaruar se janë të kënaqur me nivelin e solidaritetit.
Shqetësuese janë edhe rezultatet për vështirësitë financiare të qytetarëve në këtë krizë. Pesëdhjetë e tetë për qind kanë deklaruar se po ballafaqohet me probleme në përditshmërinë e tyre. Për 30 për qind bëhet fjalë për të ardhura të zvogëluara, për 23 për qind prej tyre humbje e punës, ndërsa për nëntë për qind kanë deklaruar se nuk mund të lejojnë ushqim të denjë që kur ka filluar kriza. Dhjetë për qind kanë kërkuar ndihmë financiare nga miqtë dhe të afërmit, ndërsa tre për qind janë ballafaquar me falimentim.
Më shumë probleme financiare kanë hungarezët, bullgarët, grekët, italianët dhe spanjollët, ndërsa më pakë danezët, holandezët, suedezët, finlandezët dhe austriakët.
Anketa është realizuar më 23 prill deri më 1 maj, janë anketuar 21.804 qytetarët në moshën mes 16 deri 64 vjet, në 21 vende anëtare të BE-së.
Anketa e plotë do të publikohet gjatë qershorit.