Urim HASIPI
Tetovë, 20 shtator – Nga një shtatori kanë filluar regjistrimet në Institutin e hapur për mësim të përjetshëm në Tetovë, që njihet si ish Universiteti i Punëtorëve. Zakonisht, në këtë institucion regjistrohen numër i madh i nxënësve, por edhe të rritur të cilët dëshirojnë të zgjerojnë njohurit e tyre për gjuhë të huaj, sidomos anglisht dhe gjermanisht, shkruan gazeta KOHA. Sllagjana Josifoska, juriste në këtë institucion thotë se krahas kësaj po ashtu mund të regjistrohen edhe persona të rritur që nuk kanë kryer shkollë fillore për arsye të ndryshme mundet që të vijojnë shkollimin nëse i plotësojnë kushtet. “Pas përfundimit të këtyre formave edukative, nxënësit janë të përgatitur për hapje edhe të biznesit të tyre, por edhe duke gjetur punë në ndonjë kompani vendore apo jashtë vendit. Instituti i Hapur për Mësim të Përjetshëm në Tetovë, është i orientuar kah ndryshimet globale dhe moderne, i ndjek arritjet dhe nevojat teknologjike, ndërsa në punë shfrytëzohet edhe mësimi praktik edhe teorik. Kemi marrëveshje me kompani të ndryshme, ku kandidatët realizojnë punën praktike, pra mësimin praktik nëpër kompani ndërtimore, nëpër restorante, ëmbëltore e kështu me radhë”, tha Sllagjana Josifoska, juriste. Sipas informacioneve, tashmë këtë vit kursin e parukerisë e kanë përfunduar 37 femra dhe 13 kuzhinierë. “Ky institucion ka për qëllim që të nxisë ngritjen arsimore dhe kulturore të të rriturve dhe të rinjve. Këto kategori të qytetarëve trajnohen, aftësohen, që të gjenden më mirë në tregun e punës, sidomos ata që nuk janë të punësuar”, thotë Josifoska. Krahas kësaj, nga ky institucion njoftojnë se këtë vit ofrojnë kurse në shtatë programe, edhe atë, frizer për femra dhe meshkuj, prodhues të bukës, prodhues të ëmbëlsirave, kuzhinier, saldues, murator dhe makinist për automjeteve të ndërtimtarisë.“Kursistët të cilët vijnë për parukeri apo frizer, ne kemi kontratë me një sallon ondulimi dhe atje kryhet puna praktike. Po ashtu kemi marrëveshje edhe me restorant, ku realizohet puna praktike, ndërsa edhe për ndërtimtari kemi kompani ku kursistët e bëjnë punën praktike. Edhe sa i përket mësimit teorik kemi profesor dhe kuadër profesional për këta kurse”, theksoi ajo. Nga ky institucion njoftojnë se shumë të interesuar, pasi marrin certifikatën apo diplomën, ata më pas shkojnë jashtë vendit dhe të njëjtat u pranohen, pasi që kushti është që të kenë dy vjet përvojë pune në atë lëmi të caktuar, ndërsa kohëve të fundit është rritur dukshëm numri i tyre, të cilët kërkojnë një punë më të mirë jashtë vendit, sidomos në Gjermani. Nga shtatë kurset që ofrohen në këtë institut, meshkujt më shumë interesohen për kuzhinier, ndërsa femrat për parukeri. Ndryshe, Universiteti i Punëtorëve është themeluar në vitin 1955 nga ana e Kuvendit komunal në atë kohë. Në vitin 2000 është quajtur Universiteti Popullor, ndërsa në vitin 2012 u quajt Instituti i Hapur për mësim të përjetshëm. (koha.mk)