Shkup, 26 korrik – Me ushtrim demonstrues të 120 kadetëve dhe studentëve të shtetit tonë dhe 11 vendeve partnere, sot në poligonin “Krivollak” edhe zyrtarisht përfundoi projekti i 10-të jubilar ndërkombëtar në siguri dhe mbrojtje “Kampusi i 10-të veror 2019”, njofton Koha.mk
Siç kumtuan nga Ministria e Mbrojtjes, pjesëmarrësit në Kampus i përshëndeti zëvendësministri i këtij dikasteri Bekim Maksuti dhe i porositi që të jenë krenarë me veten, për të gjithë atë që e kanë mësuar dhe arritur gjatë dhjetë ditëve të kaluara.
“Partneritetet të cilat i bëtë për këto dhjetë ditë, gjithçka që mësuat dhe ndatë do të mbeten përgjithmonë në mendjet dhe zemrat e juaja. Miqësitë të cilat i krijuat mes kadetëve të 12 vendeve dhe studentëve të universiteteve do të jenë të përjetshme”, tha Maksuti.
Në mbylljen e Kampusit veror, mes të tjerëve, morën pjesë edhe drejtori i Shtatmadhorisë, gjeneral-major Zoran Milevski, drejtori për planifikim në mbrojtje në Ministrinë austriake të Mbrojtjes, gjeneral-major Johan Frank si dhe komandanti i TRIDOC të Kosovës, gjenerali i brigadës Ilfete Spahiu.
Ushtrimi demonstrues përbëhej nga aktivitetet që kanë lidhje me detyrat gjatë pjesëmarrjes në misionin për mbështetje të paqes, menaxhimin me turmën, luftën në vendbanimet, procedurë për menaxhim me mjete minuese-shpërthyese, si dhe dhënien e ndihmës së parë e ndjekur me evakuim mjekësor me helikopter dhe realizimin e marrëdhënieve me opinionin në operacionet ndërkombëtare.
Pjesëmarrës në kampus ishin kadetë dhe studentë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, SHBA-ja, Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Rumania, Gjermania, Kroacia, Çekia dhe Norvegjia. (koha.mk)