Emin AZEMI
Mendimi ndryshe. Kush e përfaqëson në Maqedoni? Ose, ata që pretendojnë se po mendojnë ndryshe sa ka të ngjarë që me apo pa vetëdije po i djegin shanset e një alternative të njëmendët.
Të mendosh ndryshe, jo gjithmonë nxjerr në sipërfaqe ide automatikisht të zëvendësueshme, po ama të mos mendosh fare është t’ua bësh qejfin atyre që hiçin e tyre e shumëzojnë me të arriturat kolosale kombëtare. Ka rrezik që ky shumëzim të ketë prekur shumë segmente shoqëror në Maqedoni dhe është çështje kohe se kur do të kemi ne këtu një përllogaritje tjetër të parametrave që ndajnë pakurrizorët e zvarranikët nga gjenerata e djemve e vajzave të diplomuar nëpër universitetet e Perëndimit. Lufta kundër kësaj zoo-shoqërie nuk mund të jetë efikase përderisa të mos çmontohet mendësia se vetëm meritokracia e gjysmanalfabetëve të veshur me pushtet mund ta përcaktojnë ritmin e zhvillimit dhe të emancipimit tonë.
Në shoqëritë e konsoliduara kulturalisht e ekonomikisht ka ndodhur që të identifikohen konflikte në mes të publikut kritik dhe atij manipulues, që si rezultat ka patur triumfin e argumenteve mbi gjepurat, të ligjërimit të mirëfilltë publik mbi kozeritë e mejhaneve sub-urbane.
Gjithandej rrotull nesh po ndodhin aq shumë ngjarje, por në anën tjetër ka shumë pak kapacitet publikbërës për të krijuar një publik kritik. Kjo që po ndodhë aktualisht, me protestat kundër gjuhës shqipe, fjala bie, më tepër i shkon dëgjueshmërisë së firigjuar, që në instancë të fundit po prodhon masë jokritike.
Masa, sikundër dihet, asnjëherë nuk ka një zë kritik që do t’i artikultonte interesat e veta, përderisa kjo nuk ngritet në një shkallë më të lartë, atje ku ndodhë edhe formimi i publikut. Frika nga publiku i formuar ka detyruar shumë faktorë nga tabori opozitar maqedonas të disperzojë pakënaqësinë nëpër kanale të shumtë të “shkretëtirës” kolektive.
Gjithmonë interesat dhe iniciativat individuale lindin nga baza e padefinuar e vetëdijes së përbashkët dhe zhvillohen në një interaksion karakteristik reciprok në mes të përfaqësuesve të tij. Por, ajo çka e prish këtë interaksion është në fakt ajo dora e padukshme që imponon realitete virtuale, pa kurrfarë pikëtakimi me interesat e përgjithshme të qytetarëve. Ky është preludi i krijimit të një shumësie publike, ku kakofonia e diskursit merr trajtat e spërkatësit të pikave të pakënaqësisë. Janë edhe një mori repartesh ndihmëse që funksionojnë si rripa transmsioni në makinerinë e madhe të manipulimit publik.
Po të bazoheshim në një analizë klasike sociologjike të publikut, që thotë se qytetarinë e një vendi e bashkon ideali i të drejtave demokratike, politike e shoqërore, atëherë do ta kishim të lehtë t’u vijmë në gjurmë anomalive që përshkon disponimin opozitar maqedonas, me çka po krijohet karakteri autoritar i masave pa identitet të formuar qytetar e publik, që me papërgjegjshmërinë dhe jokompetencën e tyre ka shumë të ngjarë që ta lëkundin kohezionin ndëretnik e ndërfetar, por të “djegin” edhe alternativat e vërteta të mendimit ndryshe.
Megjithatë, politika legale dhe legaliste nuk do të duhej të humb terren në ‘’marrjen e kontrollit’’ mbi resurset publike që prodhojnë mirëqenie sociale dhe stabilitet institucional.