Të ndërrosh realitetin duhesh ndërruar mentalitetin!
Nga Adelina MARKU
E cili është mentaliteti aktual? Struktura e tij ndryshon varësisht kontekstit politik këtej. Është ky një ndryshim akut do kisha thënë , ngase përsëri ky, mentaliteti pra – rikthehet në gjendjen fillestare . Ky rikthim ndodh për të satën herë këndej nga ne e gjithmonë pasi dështon kauza politike! Nuk ka mbindërtim, ka rikthim! Pra vazhdimisht dështon ajo e qëllimshmja progresiste! Afati i saj është shumë i limituar e do kisha thënë se kohëzgjatja e kësaj kauze del të jetë shumë e korruptuar, prandaj si e tillë dështon për të satën herë këndej nga ne ! Është kauzë akute kjo, fatkeqësisht! Bëhet kryesisht për hir të korrektesës politike dhe prandaj mbetet e paqëndrueshme ! Kauza të këtilla akute kemi pafund ! Psh deri dje nuk e kishim dëgjuar diskursin politik : ‘’Shoqëri për të gjithë’’sepse në vend të saj përdorej një diskurs tjetër , psh : ‘’Maqedonia maqedonasve !’’. Pastaj edhe për këtë diskurs, për këtë të dytin pra, ne shqiptarët ngrisnim debat në mes vedi e ndaheshim në dy grupe, njëri nga ne thoshte se ne duhemi pranuar këtë diskurs: ‘’Maqedonia maqedonasve’’ , sepse në esencë edhe ne qenkemi maqedonas sipas identitetit politik dhe interpretimit të këtij grupi përkatësisë sonë , ndërsa grupi tjetër ( të cilit i takoj edhe unë ) kishim ndërtuar veten me arketip tjetër, atë të identitetit kulturor dhe diskursi më lartë na dukej komplet i panatyrshëm! Ja ky quhet ndeshje mentalitetesh psh. Por , mentaliteti ka të bëjë edhe me çështjen e integrimeve ; dëgjo, jo më larg se një kohë , tek ne kishte një diskurs të hatashëm anti NATO ndërsa sot qëndron puna ndryshe! Ose sot, ka një mentalitet zhgënjyes ndaj BE , ndërsa ai i djeshit ishte pak a shumë i simuluar pro BE! Mentaliteti deri dje për gratë në politikë ishte mentalitet për heroinën psh, ndërsa sot , ky mentalitet ka të bëjë me ligjin, pra jodoemosdoshmërisht këto gra që hyjnë nëpër lista zgjedhore janë heroinat e djeshit, ata sot edhe mund të jenë të rastësishmet e fatit për t’u bërë deputete sepse ligji ashtu e kërkon! Këtu ka edhe një gjë, sepse tani të rastësishëm bëhen të dy gjinitë!
Të nderuar /a, do dakordohemi të gjithë se mentaliteti ynë politik është euforik dhe këtë ekspertët e kampanjave të partive politike që renditen për garë zgjedhore e dijnë shumë mirë. Ja një shembull: ‘’bombat politike ‘’psh. që sfiduan mendjen tonë dhe përcaktimin tonë politik ndaj bënë që me eufori të votohet konjuktura e re politike ! Me gjasë, nuk kishte si ndryshe të sfidohej garnitura e vjetër qeveritare , prandaj shpërthimi i ‘’bombave politike’’ e bënë ‘’kthesën e madhe’’ (!?) tek ne ! Kjo ngase ka mungesë për atë mentalitet të nevojshëm për bërje politikë progresiste e që quhet : MENTALITET PËR NDRYSHIM! Mentalitetin për ndryshim e posedojnë njerëzit që e pranojnë ndryshimin natyrshëm e si filozofi jete e jo si rezultat mbijetese! Ja shembulli I ri, mentaliteti integrues këtu tek ne mbahet ende nën ‘’benzinën’’ e kauzës së konfliktit të 2001, ne dëgjojmë të thuhet se : kaq numra përfaqësuesish të etnisë shqiptare kishte para 2001 dhe deri në kaq shkallë u zhvillua pas 2001. S’ke si e mohon këtë realitet, duhesh qenë nihilist patetik për të mohuar këtë realitet.
Dhe , tek po i rradhis këta shembuj për të dekonstruuar më lehtë kuptimin mbi rigjiditetin e mentalitetit politik tek ne , konstatoj se një ndryshim megjithatë ka ndodhur, kurba ka lëvizur lehtaz së larti! Ka ndryshuar sipërfaqësisht realiteti dhe me këtë pritet që edhe mentaliteti të jetë zhvendosur! Dhe kjo është gjë e mirë për shoqërinë ku jetojmë . Kurba ka lëvizur nga një mentalitet ekskluzivisht etnonacionalist, në një tjetër që po ndërtohet ndryshe e përmes një procesi të gjatë . Po a mund të ishte ky proces më i shpejtë e më i suksesshëm? Padyshim që po! Por a e ka bë kjo kohëzgjatje mondane këtë mentalitet të qëndrueshëm ? Fatkeqësisht jo, ky përsëri ka mbetur në nivel akut ; si i tillë shpejt mund të rrënohet dhe të kthehet në origjinën e vet bazike – rigjide etnonacionaliste , përjashtuese në esencë!
E vërteta flet se është mentaliteti kronik ai që e mund vazhdimisht këtë akutin! Nëse e mendon thellë thellë, kroniku është më i qëndrueshëm se ky i pari ! Matrica e këtij mentaliteti të fuqishëm politik përbëhet nga aftësia e përhershme për të sfiduar korrektësinë politike të mentalitetit akut me korrupcionin! Ky, korrupcioni është një ndër mentalitetet më të dëmshme që i kanoset shoqërisë biles tek ne u tregua i dimenzioneve kataklizmike! Ndërsa pasojat nga ky, kanë prodhuar tani një frymë të re: ikja nga vendi, pra mentaliteti i ri kërcënues është IKJA! Për të përmbushur edhe më shumë mozaikun e kërcënuesve të mentalitetit zhvillimor është edhe mentaliteti i vetë qytetarit : ai është mosbesues, qytetari nuk beson më ! Mendo ti saças e veju në lëkurën e politikanit sot tek garon mes mentalitetit mosbesues, mentalitetit ikës dhe atij korruptues! A është garrë kjo, apo një sprovë e radhës?
Te nderuar miq, mikesha, kjo që përshkrova është një situatë shumë dëshpëruese në esencë e ndoshta është më mirë të thuhet zëshëm se realiteti nuk premton shumë optimizëm . Me gjasë principet e mentalitetit zhvillimor mbeten të jenë karakteristika të shoqërive ku për princip kanë shpallur funksionalitetin e sistemit dhe prandaj zhvillimin ekonomik, pra aty ku sistemi funksional bëhet princip , vështirë se dyndet mentaliteti zhvillimor. Ndërsa ne këtej, gjatë gjithë kësaj peruidhe të pavarësisë së shtetit, asnjëherë nuk ndërtuam principin zhvillimor si alfa dhe omega të një shoqërie në tranzicion, e tani transformative , por këtë e zëvendësuam me kriza politike të një pas njëshme , secila në formën e vet më e korruptuar se tjetra! At’herë , nëse këta matësa flasin për një realitet të këtillë prej zhvatësi, thjesht e kam të pamundur të mendoj se ndryshimi do ndodhë edhe me ndërrimin e kësaj garniture politike! Analizë dëshpëruese kjo, padyshim! Por , më ndje i/e nderuar/a lexues/e, ndryshimi fillon në momentin kur ballafaqohesh me realitetin – paj qoftë ai më i vrazhdi ndonjëherë! Do pajtohemi, ky yni ka arritur të tejkalojë vrazhdësinë , por ka krijuar një pengesë të madhe të re: mentalitet mosbesimi kapital!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)