Edhe mësimdhënësit thonë se shpeshherë i largojnë nxënësit nga pjesët ku pikon klasa, por ka patur raste kur edhe i kanë lëshuar në shtëpi fëmijët, megjithëse kanë marrë vërejtje nga ana e autoriteteve përgjegjëse se nuk guxojnë që fëmijët t’i largojnë nga procesi mësimor
Urim HASIPI
Tetovë, 28 shtator – Shkolla fillore periferike “Gjergj Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht, gjatë reshjeve të shiut pikon nga pullazi nëpër mësonjtore. Ndonëse bëhet për një objekt, i cili është inauguruar para 5 viteve, megjithatë objekti më shumë se 20 vite nuk ishte lëshuar në përdorim. Përgjegjësi i shkollës, Imri Abdylamiti, thotë se këto probleme shfaqen gjatë kohës kur ka të reshura.
“Ky problem po na ndjek katër apo pesë vite me radhë. Me kalimin e kohës, komuna ka bërë intervenime, por ato kanë qenë afatshkurtra, dhe ky problem neve po na përcjell çdo vit shkollor. Tash me reshjet e para kur do të vijnë, jemi të shqetësuar se mësonjëtoret do të pikojnë. Po ashtu kalon edhe nëpër rrjetin elektrik dhe paraqet rrezik për ndonjë problem më të madh për jetën dhe shëndetin e nxënësve. Ne si trup i shkollës kemi bërë kërkesë deri tek komuna, ata kanë intervenuar, por nuk kanë qenë të mjaftueshme. Në takimin e fundit, na kanë premtuar se ky problem është përcjellë edhe në Ministrinë e Arsimit dhe jemi me shpresë se një ditë do të merren masa”, tha për KOHA, përgjegjësi Imri Abdylamiti.
Në ndërkohë, edhe mësimdhënësit thonë se shpeshherë i largojnë nxënësit nga pjesët ku pikon klasa, por ka patur raste kur edhe i kanë lëshuar fëmijët, por kanë marrë vërejtje nga ana e autoriteteve përgjegjëse se nuk guxojnë që fëmijët t’i largojnë nga procesi mësimor.
“Ky është një problem delikat, do të thotë edhe të rënda, sepse krahas asaj që jam arsimtare, po ashtu jam edhe prind dhe kam fëmijët e mi që mësojnë në këtë shkollë, të cilët duhet që të larohen gjatë orëve kur ka reshje nga vendi ku pikon, pra nga klasa, sepse ky është një problem i madh dhe mund të ndodh një katastrofë e madhe. Mund të shkaktohet zjarr dhe pasojat eventuale nuk mund të përmirësohen”, tregon për KOHA, Samira Idrizi, arsimtare në këtë shkollë.
Në ndërkohë, debati për problemin e shkollës në fshatin Xhepçisht u hap në seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës, kur këshilltarët kërkuan nga përgjegjësi për arsim që të merren masa për këtë problem. Nga ana e Komunës së Tetovës nënvizuan se janë bërë intervenime të kohëpaskohshme, por për investime kapitale, përgjegjëse është Ministria e Arsimit.
“Ne kemi njohuri për situatën në këtë shkollë. Kemi bërë disa herë intervenime, ndërsa për investime në infrastrukturën shkollore, përgjegjëse është Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila edhe i planifikon investimet kapitale”, tha Ahmed Qazimi, udhëheqës i dikasterit të Arsimit në Komunën e Tetovës. Ai sqaroi se në këtë shkollë është planifikuar që të vendoset sistemi fotovoltaik dhe pikërisht për këtë janë duke u zhvilluar bisedime që të rregullohet edhe pullazi. (koha.mk)