Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot mori pjesë në promovimin e të diplomuarve të rinj në Fakultetin për Siguri në kuadër të Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”.
Spasovski, siç informojnë nga MPB, në fjalimin e tij para të diplomuarve i porositi se me aktin e sotëm përmbyllet një proces, pas së cilit fillon një zbatim konkret, praktik i të gjithë asaj që në periudhën e kaluar është akumuluar si arsim profesional.
“Kjo ngjarje njëherësh i demonstron kënaqësinë dhe krenarinë e përbashkët. Për profesorët e respektuar – pasi kanë arritur gjatë gjithë këtij procesi t’i bartin njohuritë dhe përvojat e tyre; për të diplomuarit dhe për magjistrantët – pasi me sukses e kanë përfunduar një pjesë të rrugës akademike; për shoqërinë dhe institucionet – pasi fitojnë kuadër të ri dhe profesional i cili duhet në mënyrë më profesionale të ballafaqohet me sfidat reale”, deklaroi Spasovski.
Ministri, thuhet në kumtesën e MPB, theksoi se asnjë shoqëri nuk mund të shpresojë për sukses pa ndjekjen dhe implementimin praktik të njohurive të reja shkencoro-hulumtuese, pa bashkëpunimin real midis teorisë dhe praktikës, që gjegjësisht konfirmohet përmes përditshmërisë së shoqërive bashkëkohore dhe të zhvilluara. Veçanërisht që siguria paraqet sferë mjaft dinamike të punës.