Shkup, 25 janar – Të ardhurat financiare të Servisit publik Radio Televizionit të Maqedonisë për këtë vit do të jenë 822.500.000 denarë, për 32 për qind më pak në krahasim me të vitit të kaluar, parasheh plani financiar i Servisit publik që të enjten u miratua në Komisionin parlamentar për transport, lidhje dhe ekologji. Prej të ardhurave të planifikuara, prej Buxhetit shtetëror janë siguruar 700 milionë denarë apo 0.5 për qind e Buxhetit të RM-së. Siç tha Smillka Janevska Sarkanjac, përfaqësuese e Këshillit programor të RTVM-së, ka paralajmërime paratë prej Buxhetit të rriten në 0.7 për qind, por akoma nuk ka konfirmim zyrtar. Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve, përfaqësuesit e Këshillit programor thanë se në RTVM për sivjet duhet të ketë 90 punësime të reja në Servisin e dytë programor në gjuhën shqipe i cili duhet të fillojë me transmetim 24 orësh, si edhe në kanalin e tretë për bashkësitë joshumicë, ndërsa shuma e mjeteve që duhet të ndahet për këtë vit, vetëm për Programin e dytë në gjuhën shqipe, arrin në 3 milionë euro.