Nga Milaim FETAI
Një fenomen ende i pashpjegueshëm po ndodh vitet e fundit sa i përket jetës së brendshme të partive politike shqiptare në Maqedoni. Mjaft mjekë po e lënë anësh bluzën e bardhë të mjekut, në të cilën kanë investuar vite jetë dhe kanë veshur kostumin e politikanit. Pse kemi angazhim kaq të madh të doktorëve në partitë politike shqiptare në Maqedoni? Për shkaqe të altruizmit, narcizmit, për pushtet, për para apo për shërimin e shoqërisë? Pse mjekët në të gjitha vendet e BE-së janë të përjashtuar nga politika kurse te ne ndodh e kundërta?
Pyetjet që shtrohen janë të shumta; pse kaq shumë mjekë insistojnë të bëhen pjesë e partive politike. Madje bartin edhe funksione publike të larta që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre si mjek? A fiton politika aq shumë sa që e bën të parëndësishme edhe humbjen që pëson shëndetësia dhe pacientët në këtë rast. Në SHBA, braktisja e thirrjes mjekësore dhe marrja me politikë perceptohet si diçka negative, si humbje e madhe e respektit publik, e besimit kolektiv dhe humbje e respektit që kanë pacientët dhe të afërmit e tyre ndaj mjekëve. Të dhënat e përfituara nga anketa vjetore të kryera nga Agjencia Gallup për ndershmëri profesionale dhe etike tregojnë se mjekët gëzojnë shtatë herë më tepër besim publik se sa politikanët dhe anëtarët e Kongresit Amerikan. Pikërisht për shkak të kësaj humbjeje emocionale, për mjekët që zgjedhin mjekësinë si profesion, ikja e tyre në politikë, veçanërisht në Amerikë, në mënyrë metaforike paraqet një lloj vetëvrasje morale. Me sa dihet në politikën gjermane vetëm dy mjekë kanë poste të rëndësishme në pushtet, në Francë një, në Itali një, në Suedi nuk ka, në Austri një, në Turqi me sa di un nuk ka asnjë …
– Mirëpo në Maqedoni, partitë politike shqiptare janë plot e përplot me mjek në të gjitha nivelet, kurse disa parti të vjetra dhe parti të rreja udhëhiqen nga mjekët. Sa për të rikujtuar lexuesin, shkurtimisht të përmendim vetëm disa emra, me ndonjë përjashtim të vogël, që opinioni i gjerë i njeh më tepër si politikan se sa si mjek:
– Menduh Thaçi, Ziadin Sela, Arben Taravari, Bujar Osmani, Nexhbedin Karemani, Imer Selmani, i ndjeri Imer Imeri e shumë të tjerë. Në Shqipëri dhe Kosovë kemi raste të këtilla por në përmasa më të vogla.
Ky fenomen interesant meriton analiza të thella e të holla shkencore që të sqarohen arsyet, motivet dhe pasojat e tij. Çka është ajo që e shtynë një mjek prej një profesioni shumë të respektuar, për të cilën ka investuar aq shumë mund dhe vite shkollimi, në fillore 8, e mesme 4, studime 5, specializim 5, subspecializime 4, gjithsejtë 26 vjet, të braktisin profesionin për të cilin janë përgatitur një jetë të tërë dhe të hyjnë si amator në politikën e ndërlikuar bashkëkohore. Politikan i keq mund të bëhet çdokush, por mjek i mirë nuk mundet çdokush. Një mik me shaka më tha se kaq shumë mjek ka në partitë politike sepse shefat e tyre partiak shpresojnë se duke i pranuar dhe angazhuar mjekët në struktura partiake do ti kenë edhe votat e pacientëve të tyre. Praktika e ka dëshmuar si jo të saktë. Njerëzit kanë krejtësisht perceptim dhe mendim tjetër për mjekët, nga ata presin ti shërojnë kur janë të sëmurë për çka edhe i paguajnë shërbimet e tyre. Në brendësinë e tyre ndjehen të zhgënjyer kur mjeku i tyre u paraqitet si politikan me premtime se do tua zgjedh edhe problemet me kanalizimin, me ujin, me ndërtimin e shkollave, rrugëve, me punësimin, problemet ekonomike etj. Në betimin e Hipokratit shkruan se mjekët mbi të gjitha duhet ti përmbahen obligimit: “Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe”. Disa sociolog mendojnë se angazhimi i mjekëve në politik është si rezultat i papjekurisë së një shoqërie që ende është e influencuar nga e kaluara, nga tradita socialiste e kujdesit shëndetësor. Në shtetet me traditë demokratike, politika rekruton kryesisht njerëz kompetentë të cilët me punën e tyre janë dëshmuar dhe afirmuar në qarqet përkatëse shkencore dhe opinioni i njeh si politolog, juristë, ekonomistë, filozof, avokat, bankier, shkrimtar apo gazetarë.
Hulumtimet serioze shkencore tregojnë se mjekët në të vërtetë – shpesh u thuan pacientëve të tyre “gënjeshtra të vogla” për shkak se ata mendojnë se e vërteta e plotë ka për ti “vrarë” pacientët e tyre, por edhe për mbrojtjen e tyre nga gabimet dhe ndjekja gjyqësore që mundet të pasojë dhe humbjen e reputacionit të mjekut. Si që shkruan edhe sociologu kroat Slaven Letica duke u mbështetur në një hulumtim të kryer nga profesoresha e Harvardit, dr.Lisa Iezzoni me një mostër prej 1.900 mjek nga e gjithë Amerika – ka konstatuar paradoksin se: 55% e mjekeve të anketuar kanë thënë se në vitin e kaluar, u kanë thënë pacientëve më shumë optimizëm se që parasheh historia e sëmundjes. Ky hulumtim ka treguar se afër 33% e mjekeve mendojnë se gabimet e tyre eventuale gjatë shërimit nuk duhet ti tregohen pacientit, kurse 40% kanë deklaruar se pacientit nuk duhet ti jepen informata për lidhjet e mundshme të mjekut me kompaninë farmaceutike barnat e të cilës ai ia shkruan për terapi. Shumë mjek me të vërtetë besojnë se fshehja e të vërtetës është në dobi të pacientit kurse në aspektin etik e arsyeshme dhe ka efekt pozitiv terapeutik.
Pra, edhe nëse shohim se mjekët politikanë haptazi dhe me buzëqeshje nuk e thuan të vërtetën, gënjejnë duke premtuar më tepër se që mundet të realizohet, si rrethanë lehtësuese duhet ta kemi parasysh se ata ndoshta me të vërtetë besojnë se këtë e bëjnë për të mirën tonë.