Prokuroria nuk duhet të zbavitë kureshtjen e publikut me inçizime që nuk thonë gjë të re (ç’rëndësi ka se cili ministër çka tha rreth rastit!), por t’i selektojë, ato që zbulojnë gjurmët e vërteta të krimit, kuptohet, nëse ka me përmbajtje të tillë
Nga Daut DAUTI
E vërteta për rastin “Monstra” vazhdon të jetë e mjegulluar. Edhe kur të zbulohet e gjithë e vërteta, do të mbetet prapë “diçka” për të mos i besuar të gjithë. Për palën shqiptare nuk ka dilemë se të dyshuarit nuk janë autorët e vërtetë të vrasjes. Pjesa e opinionit maqedonas, nën ndikimin e ish-qeverisë së Gruevskit, është “e sigurt” se janë gjetur fajtorët e vërtetë. Midis këtyre dy besimeve, qëndron e treta, ajo e plasuar për lexues e shikues nëpër portale, me shumë elemente sensacionale. Në këtë rashomoniadë të vërtetash, ende nuk ka diçka qenësore në hetimin e rastit për gjurmët që çojnë te vrasësit dhe te motivet!
Por, e nisa me lajthitjen, ndaj ka nevojë të sqaroj një lajthitje që njerëzit duke i përcjellë fjalët nga burimi sa më larg, u japin dimension tjetër. Është fjala për “bombat e Zaevit”, që sipas këtij besimi, “Zaevi ka thënë se ka dëshmi se të akuzuarit janë të pafajshëm”. Ku është lajthitja këtu? Një dëgjues i vëmendshëm i deklaratave të Zaevit do të vijë në përfundim se ai vetëm ka premtuar se çdo bisedë nga “bombat” do të vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë që të dalë e vërteta në shesh, por nuk ka thënë se sipas incizimeve janë apo nuk janë të pafajshëm. Këtu, pra, ka një dallim qenësor nga interpretimi dhe nga fjalët origjinale. Po ashtu, është përhapur një bindje se gjoja Zaevi ka thënë se ka dëshmi për involvim të ish-qeverisë në rastin e vrasjes së pesëfishtë të Liqenit të Smilkovës etj. Këtë e kanë përforcuar disa shkrime portalesh duke përmendur dhe motivet tejet “bindëse” që u ka dhënë krahë besimeve të të këtilla dhe kanë shtuar shpresën e të akuzuarve dhe familjarëve të viktimave, që e vërteta “shokuese” do të dalë në shesh…
Pse edhe kjo lajthitje është shumë e madhe? Sepse, po të kishte pasur Zaevi dëshmi të tilla që e involvojnë në çfarëdo mënyre ish-pushtetin e VMRO-së, ato do t’i kishte publikuar menjëherë dhe Gruevski me partinë e tij do të kishin shkuar kaherë jo vetëm në opozitë, por dhe nëpër burgje të përjetshme, të gjykuar si nga populli, si nga organet e drejtësisë. Do të ishte ky një rast si ai i “Pandës” ku Millosheviqi përmes policisë së tij sekrete kishte vrarë djelmosha serbë për t’i akuzuar shqiptarët! Gjë më makabër s’ka dhe këtë të vërtetë më vonë e kanë zbuluar vetë serbët. Po të kishte diçka të këtillë në dorë Zaevi, ajo do të ishte një bombë e kurdisur për Gruevskin që pa kurrfarë Përzhine do ta kishte komprometuar për 24 orë. Por, me gjasë, fjalët e tij se çfarëdo që ka te “bombat” do t’i publikojë, ka marrë tjetër kuptim ndaj dhe me kohë a pasur edhe akuza ndaj tij se ku i ka “bombat e premtuara”?
Pikërisht dëgjimi katër orësh i bombave në gjykatë, të mërkurën(18 shtator), nuk ofroi asgjë spektakulare. Të shpresojmë se në dëgjimet e mëtutjeshme do të ketë më shumë se sa huti nga bisedat telefonike midis krerëve të shtetit se çka ndodhi me katër djelmoshat dhe peshkatarin në Liqenin e Smilkovës.
Tash për tash duhet t’i besojmë prokurores Fatime Fetai(tashmë pa atë atributin”speciale”), që është zotuar që do t’i shkojë gjer në fund të vërtetës me dëshmi të reja, por në fillimin e rigjykimit, vetëm po përsëriten dëshmitë dhe ekspertizat e njëjta për të njëjtët persona, kurse intenca ishte që të ketë të reja. Nxirren ato ekspertiza dhe dëshmi që për shkallën më të lartë të gjykatës ishin të pamjaftueshme ose të kontestueshme, kurse nga “bombat”, të paktën në dëgjimin e parë, asgjë qenësore. Prokuroria nuk duhet të zbavitë kureshtjen e publikut me inçizime që nuk thonë gjë të re(ç’rëndësi ka se cili ministër çka tha rreth rastit!), por t’i selektojë, ato që zbulojnë gjurmët e vërteta të krimit, kuptohet, nëse ka me përmbajtje të tillë.
Vend për dyshime se po gjykohen të pafajshmit, ka sa të duash, sepse mjafton ta lexosh aktakuzën e prokurores së mëhershme dhe do të shohësh se bëhet fjalë për një sajesë pothuajse me imagjinatë “artistike”, sepse është shkruar si një skenar i mirëfilltë për Hollivud, ku janë përzier kontekstet fetare e politike të terrorizmit si modë botërore, në një vrasje e cila mund të kishte krejtësisht motive të tjera dhe kryes të tjerë.
Një nga enigmat më të mëdha të rastit është pse hetuesia nuk e gjurmoi paralajmërimin e deputetit serb Dragisha Miletiq nga foltorja e parlamentit, i cili kishte thënë se në prill të atij viti(2012), do të ngjajë diçka e madhe…E po ndodhi siç e paralajmëroi, po askush nuk e pyeti se nga e diti dhe çfarë informatash kishte pasur që në mënyrë aq dramatike e paralajmëroi? Ndoshta ato do ta çonin hetuesinë gjer te motivet dhe vrasësit e vërtetë. Ja, le të merret Dragisha Miletiq si dëshmitar në këtë rigjykim, le të tregojë ç’ka dashur të thotë dhe prej nga i ka marrë informatat se do të ndodhë?
Qëllimi është të pafajshmit ta fitojnë pafajësinë, e kryesit e vërtetë të marrin dënimin e merituar…
- U SHUA PSP-JA, PSE VAZHDON “CIRKU” ME LIGJIN PËR PROKURORINË PUBLIKE?
Katica në paraburgim, Vilma vazhdon të ndjekë veprat që i kishte për obligim Prokuroria Speciale, kurse Jovevski , me një “hokus-pokus” i mori lëndët e Prokurorisë Speciale. Edhe ujku i ngopur, edhe tufa e dhenve e paprekur! Kaq lehtë paska qenë!
Po, drejtësia nënkupton edhe procedurë. Procedurë që parasheh ndonjë ligj. Këto ditë profesori Gordan Kallajxhiev, njëri nga profesorët e njohur të drejtësisë te ne, shprehu rezervat për mundësinë e këtij lloji të transferimit të lëndëve. Ai është për procedurë. E procedura, sipas ligjit, parasheh që lëndët e Prokurorisë Speciale Publike, me vepra nga përgjimet e paligjshme (për këtë dhe u krijua PSP-ja si organ “special” i ndjekjes!) kalojnë në Prokurorinë Publike pasi t’i ketë pushuar mandati Prokurorisë Speciale. Kurse Prokuroria Speciale kishte mandat edhe një vit, që në mënyrë të diskutueshme ia ndërpreu Këshilli i Prokurorëve.(Meqë Katica Janevës i kalonte mandati më 15 shtator, zgjidhja më e mirë ishte të zgjedhej një zëvendës(e) me mandat një vjeçar dhe s’do të kishte zbrazëti juridike).
Jo pak kohë pat zgjatur beteja politike midis partive që të gjendej një zgjidhje ligjore për të vazhduar puna e PSP-së (gjersa vetë nuk e varrosi Katica Janeva me naivitetin e saj), qoftë si organ i pavarur, qoftë në kuadër të Prokurorisë Publike, pikërisht që të mos lihet vakum ligjor. Askush nuk e kishte ditur se me një letër të Katicës nga burgu i Shutkës (prej, nga, duhej të lirohet e jo t’i vazhdohet paraburgimi, pasi nuk ka logjikë të mbahet për 5 mijë euro bakshish apo për shkelje të detyrës zyrtare që faktikisht nuk është shkelje!), Kryeprokurori Publik mund t’i merrka lëndët dhe t’i ndajë nëpër prokurori! Si s’u është kujtuar më herët! Po çka, mund të thotë dikush, s’ka rëndësi se shkelen ligjet, me rëndësi të ndëshkohet krimi…Po, por, askush nuk mund të luftojë krimin duke bërë vetë shkelje!
Nesër Jovevski mund të vijë në pozitën e Katicës që të akuzohet për të shkelje të autorizimeve zyrtare. Ai nuk është Parlament që të ndërrojë ligjet, e as Gjyq Kushtetues që t’i heqë ndonjë nen ligjit që t’ia adaptojë nevojave të momentit.
Dhe pyetja e fundit, pasi u bënë të gjitha këto që u bënë, pa ligj, përse partitë i vazhdojnë bisedimet (kanë edhe ekipe negociatore ekspertësh!) rreth Ligjit për Prokurorinë Publike, ku ndër të tjera, duhej ta zgjidhte edhe MËNYRËN e trajtimit të mëtutjeshëm të lëndëve të PSP-së(ato në procedura dhe ato të ngritura jashtë afatit ligjor që Gjyqi Suprem i kontestoi me mendimin e vet “parimor” dhe të tjera të bëra gati posa të sillej ligji)?!
Tash edhe mund të mos e sjellin!
- KATOLIKËT NA HUMBËN PARA SYVE TANË!
Më flet miku që e kishte lexuar kolumnën e para dy javësh për Kolë Bojaxhiun dhe katolikët e Shkupit. Thotë ai: gjithë kohën i qajmë shqiptarët ortodoksë që janë asimiluar, por te ata ka një rrethanë të vështirë: duke jetuar në male, gjithë kohën kanë qenë pa mbrojtje. Kanë qenë kaçakët që i kanë plaçkitur, kanë qenë pushtuesit serbë që ua kanë vënë kanxhat dhe përmes fesë dhe xhandarëve, e kanë nisur asimilimin e tyre. Ka ardhur pastaj edhe pushteti komunist dhe përmes privilegjeve dhe orientimit të arsimimit të tyre në shkolla maqedonase, e ka përfunduar procesin e asimilimit. Ata janë “pjesa më ekzotike dhe ndoshta më autoktone” e së kaluarës shqiptare në Maqedoni, por e kaluara nuk kthehet më. Por, shton miku: historinë e ortodoksëve “nga malet e Dibrës” mund ta kuptojmë, kanë qenë disi mënjanë, por katolikët në Shkup gjithë kohën i kemi pasur përpara syve, kanë jetuar me ne në mëhallët tona, në Çair, Në Çarshi, nëpër Gazi Babë…këtë nuk e kuptoj, si na tretën para syve tanë, sikur nuk i kemi vërejtur kur ikën nga shikimi ynë…
Sa Gjina, Jaka, Lorenca…, takonim ngado që të ktheheshim, e sot, s’ka mbetur kush, as sa një grusht…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)