Omer XHAFERI
Shkup, 14 janar – Një muaj para fillimit të rigjykimit të rastit “Monstra”, Prokuroria Speciale Publike, ende nuk ka parashtruar kërkesë zyrtare deri te Prokuroria Publike, që kjo lëndë t’ju dorëzohet atyre, shkruan gazeta KOHA. Arsyeja kryesore se pse PSP, deri më sot nuk e ka kërkuar lëndën gjyqësor për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, ishte korniza jo e plotë e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. Megjithatë, duke filluar nga dita e enjte, PSP-së, e udhëhequr nga prokurorja Katica Janeva, i janë krijuar të gjitha parakushtet për pranimin e kësaj lëndë dhe rasteve tjera, për të cilat ata vlerësonin se doemos duhet të procedohet me plotësimit e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Për gazetën KOHA, zëdhënësja e kësaj PSP-së, prokurorja Lençe Ristovska, tha se nuk mund të prejudikohet nëse deri para 12 shkurtit (kur është caktuar seanca për Monstrën) ata do ta kërkojnë apo jo këtë rast. “Me rëndësi është se plotësimi i Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve u aprovua nga Kuvendi. Tash besoj se kolegët të cilët e shqyrtojnë procedurën para-hetimore për ‘Monstrën’ i kanë parasysh këto ndryshime dhe me krijimin e kushteve ata edhe do ta kërkojnë lëndën nga prokuroria përkatëse. Sinqerisht besoj se 12 shkurti është një datë e afërt dhe nuk mund të konstatoi me siguri se brenda kësaj periudhe do ta kërkojmë këtë lëndë gjyqësore apo jo”, theksoi prokurorja speciale, Lençe Ristovska.
Sipas burimeve të gazetës KOHA, në kolegjiumin e fundit që është mbajtur në fund të vitit të kaluar, në PSP, tema për rastin “Monstra”, nuk ka qenë në rend të ditës.
Dëshmitari i mbrojtur në rastin “Monstra”, i propozuar nga Prokuroria për krim të organizuar, sipas qëndrimeve të palës mbrojtëse dhe të të akuzuarve ka qenë fiktiv dhe i montuar. Kësisoj, PSP-ja, nga fillimi i saj kërkoi plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, me çka pasi që ndryshimet e fundit të shpallen në Gazetën Zyrtare, prokurorëve special do t’ju lirohen duar që t’i procedojnë rastet e “rënda”, në të cilët dëshmitari i mbrojtur është pjesë e pashmangshme e procedurës dëshmuese.
Avokati, Asmir Alispahiç, i cili e mbron një pjesë të të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, shprehet se me rëndësi është që procesi për “Monstrën” fillon nga e para dhe se procedimi i kësaj lëndë nga PSP-ja, gjithsesi do të ndodhë së shpejti.
”Besoi se aktakuzën në rigjykimin për ‘Monstrën’ do fillimisht do ta përfaqësojë Prokuroria për krim të organizuar dhe, ndërkohë, ashtu siç prezantohen faktet dhe dëshmitë, pres që edhe PSP-ja të përfshihet në proces”, tha shkurt, avokati, Alispahiç. Sipas tij pas themelimit të PSP-së, ata kanë qenë ndër palët e para që kanë kërkuar që lënda e tyre, (“Monstra”) të merret përsipër nga kjo prokurori. Në mesin e shumë lëndëve që i prisnin ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, janë vrasja e Martin Neshkovskit, aksidenti i gazetarit Nikolla Mlladenov dhe zbardhja e të vërtetës për projektin megaloman “Shkupit 2014”. Për këtë të fundit, në një prononcim për media, prokurorja special Lençe Ristovska, është shprehur se paraqet lëndën më voluminoze që është duke e hetuar PSP-ja. (koha.mk)