“Jam shumë besimplotë për derbin. E kam riparë shumë herë ndeshjen me Romën, kemi bërë një paraqitje shumë të mirë dhe nga aty nevojitet të rifillojmë me besim dhe bindje sepse është rruga e duhur”. Ishin këto fjalët e trajnerit të Mila, Vinçenzo Montella në mikrofonin e “Premium Sport”, në vigjilje të derbit të Milanos, ndaj Inter. “Ekziston dëshira për ta luajtur menjëherë derbin. Për ne është thelbësor. Kemi nevojë për një fitore, e çdo forme qoftë ajo, madje edhe me një autogol do të isha i lumtur”, deklaroi trajneri i Milan. “Kaliniç po e monitorojmë dhe vlerësojmë çdo ditë, do të vendosim bazuar në mendimin e mjekëve. Do të presim deri në ditën e fundit para se të vendosim. Jemi në fillim të javës, ka akoma kohë. A e shoh veten time te Kutrone? Si futbollist isha ndryshe. Ai ka vullnet, oreks dhe është i ri. Po e meriton këtë periudhë. Jam i kënaqur, është një basti im i vogël”, vijoi Montella. “Unë ndjej besimin e klubit, por jam i qetë, sepse e bëj këtë punë me pasion. Por, e di që duhet të marr rezultate dhe të çoj përpara këtë projekt rritje. Derbi vjen pikërisht në një moment të duhur. Ecuria është ajo e duhura dhe duhet pasur mirëkuptim dhe pak më shumë qetësi. Ndaj Inter do të jetë një ndeshje e veçantë dhe mendoj se do të duhen zemër, mendje dhe ftohtësi. A është ky Milan për Çampions? Unë besoj se kemi potencialitetin për të arritur, duhet të kemi obsesionin për të arritur”, u shpreh ndër të tjera trajneri Montella.