Një impakt të tillë pak do e kishin pritur, por Kristof Piontek po mahnit të gjithë dhe Milani konfirmon se ka bërë një investim të jashtëzakonshëm, sepse polaku në katër ndeshje ka realizuar katër herë dhe (dy në Serinë A dhe dy në Kupën e Italisë kundër Napolit) kushdo nga tifozët që kishte “qarë” largimin e Gonzalo Higuainit në janar, tashmë duhet t’i përulet 23-vjeçarit, i cili pas ndeshjes së djeshme premton se mund të bëjë edhe më shumë sesa kaq. Madje, deklarata e tij pas Kaljarit ngjason me një bast personal.
Piontek, një tjetër gol fantastik nga ana jote. E prisje këtë shpërthim?
Jam i lumtur, shumë madje dhe e kam thënë e rithënë. Jam ndier gjithmonë gati dhe për këtë arsye erdha edhe te Milani. Unë punoj për të qenë gjithmonë në maksimum, punoj për të qenë i përqendruar dhe për të vazhduar së shënuari, pasi për këtë paguhem.
Ke bërë milanistët të të adhurojnë brenda katër ndeshjeve. Çfarë ndjesie të dhuron?
Këtu ndihem si në familje, sikur kam një kohë shumë të gjatë që jam pjesë e kësaj skuadre. Tifozët tregojnë se më duan dhe unë i adhuroj ata, për të gjithë pritjen, ngrohtësinë dhe besimin që më kanë dhënë.
Katër ndeshje, katër gola. Çfarë mund të bësh më shumë se kaq?
Detyrën time, të shënoj. Madje, dua të shënoj gol në çdo ndeshje. Ky është objektivi im me veten, tani e deri në fund të sezonit.
Ndoshta je vërtet një “Robokop”…
Jo, pseudonimi im është “Pistolero”. Unë dua të jem “Pistolero” i Milanit dhe më pëlqen ky epitet që më kanë vënë. Unë identifikohem me këtë emër, sepse edhe festimi im me dy pistoleta duket qartë që u pëlqen edhe tifozëve të Milanit.