Prishtinë, 14 mars – Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar sot se ambasada kosovare në Jeruzalem zyrtarisht është hapur, sipas marrëveshjes për njohje të ndërsjellë me Izraelin, të arritur në Uashington më 4 shtator të vitit të kaluar, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në kumtesën e MPJ-së kosovare citohet se, gjatë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1 shkurt të këtij viti, ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenaziu e zbuloi pllakën e AMbasadës të Republikës së Kosovës në Jerusalem.
“Në pamundësi për të qenë prezent në Jeruzalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem. Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem”, thuhet në njoftimin e MPJ-së kosovare.
Në vendimin e Prishtinës zyrtare për hapje të përfaqësisë diplomatike në Jeruzalem, gjegjësisht për njohje të atij qyteti si kryeqendër e shtetit hebraik, u kundërshtuan Liga Arabe, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, si dhe Brukseli zyrtar. Sipas marrëveshjes së Uashingtonit me Serbinë, të arritur me ndërmjetësim të ish presidentit të SHBA-së Donald Tramp, Izraeli e pranoi pavarësinë e Kosovës, ndërsa si kthim Prishtina pranoi ta hap ambasadën e saj në Jeruzalem. Në atë mënyrë Kosova u bë vendi i parë me shumicë të popullatës myslimane e cila hap ambasadë në atë qytet.