Boksieri francez Carlos Takam beson se mund të fitojë titujt kampionë bote të peshave të rënda që mbahen nga britaniku Anthony Joshua, në duelin që dy boksierët do të zhvillojnë më 28 tetor, në Kardif. Takam, i lindur në Kamerun, zuri vendin e bullgarit Kubrat Pulev, që u dëmtua fundjavën e kaluar dhe aktualisht renditet i treti në kategorinë IBF. Ai ka humbur vetëm 3 përballje në 35 duele të zhvilluara në karrierën e tij dhe tashmë ka shansin e artë të përballet për titullin kampion bote, në moshën 36-vjeçare. Por edhe Joshua është i pamposhtur, teksa i ka fituar të 19 duelet si profesionist në karrierën e tij, ndërkohë që sfida do të zhvillohet përballë 80 mijë shikuesve.
“Nuk e di nëse jam i kënaqur, i stresuar apo konfuz për këtë sfidë, por di që jam gati. Do të jem një rival i fortë dhe i denjë në ring. Joshua është një boksier i mirë, që i pëlqen të boksojë dhe unë i preferoj rivalët që sulmojnë. Unë besoj te forcat e mia, asnjëherë nuk ngjitem në ring me idenë se do të humbas. Jam fitues dhe nuk dua të humbas këtë sfidë, mundësia më e mirë e karrierës time”, tha Takam, që më tej shtoi: “Nuk më tremb fakti që do të dueloj para 80 mijë shikuesve. Ky është një duel mes meje dhe Joshua dhe jam përgatitur mirë”. Takam ka pësuar humbjen e fundit në nëntor të 2016-ës, ndaj Joseph Parker, por që nga ai duel ka regjistruar dy fitore.