Edon Zhegrova është zotuar se do të bëjë shumë më shumë në të ardhmen, pas një paraqitjeje të shkëlqyer duke shënuar një gol dhe një asist në fitoren e Baselit 3:0 kundër Young Boys të dielën në Superligën e Zvicrës.
Në vetëm paraqitjen e tij të katërt si titullar deri tani këtë sezon në të gjitha garat për Baselin, anësori i Kombëtares së Kosovës Zhegrova u përcoll me duartrokitje të pandërprera nga tifozët e vet kur u zëvendësua në minutën e 76-të, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Asisti i bukur për golin hapës të Baselit dhe më pas goli i tretë i shënuar në stilit të Leo Messit, i cili e fundosi liderin e ligës, si dhe driblimet spektakolare, ishin të mjaftueshme për Zhegrovën të shpallej lojtari i ndeshjes më të madhe në ligën elitare zvicerane.
20-vjeçarit i mbaron marrëveshja e huazimit në Basel nga Genku në fund të këtij sezoni. Por ai dëshiron të vazhdojë me Baselin.
“Unë përpiqem t’i shfaq aftësitë e mia dhe t’i ofroj diçka publikut”, tha Zhegrova. Ai më pas premtoi: “Unë mund të tregoj edhe më shumë”.
Pas ndeshjes, kosovari e shfaqi tërbimin që e kishte ndier si pasojë e refuzimit të Rusisë për ta lënë të futet në vend me pasaportë kosovare për ndeshjen e Baselit kundër Krasnodar. “Kam dashur të luaj, por nuk munda”, tha Zhegrova. I pyetur përse nuk kishte aplikuar për vizë, ai shtoi: “Nuk kam dashur. Ata e dinë gjendjen”.