Mungesa e reshjeve të borës dëmton tej mase bujqësinë e vendit, sidomos drithërat, thonë agronomët. Ngricat e ditëve të shkuara dhe mungesa e borës, kanë bërë që drithërat të kalben në rrënjën e tyre, ndërsa kjo do të ndikojë në uljen e prodhimtarisë
Urim HASIPI
Tetovë, 15 shkurt – Mungesa e borës mund të ndikojë negativisht në rendimentin tek dritharët, apo të mbjellurat vjeshtore. Kjo është thënë nga agronomët, të cilët theksojnë se nëse do të ketë lagështi, megjithatë rendimenti mund të jetë edhe më i lartë, shkruan gazeta KOHA. “Për arritjen e rendimenteve më të mira, duhet të ketë disa parametra. Para se të fillojmë mbjellja, të zgjidhet toka pjellore, farë e certifikuar, varet edhe çfarë strukture ka ajo, toka duhet të jetë e lëvruar, të posedon materie ushqyese, si dhe të bëhet nivelizimi i tokës para se të mbillet. Kur themi nivelizim, që gjatë dimrit mos të bëhet koagulimi i të reshurave – borës, për arsye se kanë ndikim negativ në pranverë, çfarë do të thotë se mund të paraqiten sëmundje të ndryshme të drithërave, mund të përmendim fuzariumin, e kështu me radhë”, nënvizon Xheladin Nuhi, agronom në Njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë në Tetovës.
Sipas tij, esenca është te rritja e rendimentit më të lartë dhe cilësor. “Ka rendimente të pacertifikuara, por sivjet ka mungesë të borës. Mungesa e borës sjell pasoja shumë të mëdha te drithërat. Nëse temperaturat e dimrit ngriten dhe borë nuk kemi, atëherë vjen deri te plasja e mbështjellësit qelizor, i cili ka amidon dhe që ka ndikim në mbrojtjen nga temperaturat e larta, por është shumë me rëndësi të ceket dhe afati optimal i mbjelljes së dritave vjeshtore”, tha për KOHA, agronomi Nuhi. Problemi do të paraqitet në rendiment, pohojnë agronomët.
“Ky është një vit i cili do mbahet mend pa të reshura të borës. Ka një ndikim negativ tek të mbjellat vjeshtore, veçanërisht tek drithërat e bardhë, duke filluar nga gruri, thekra, elbi tërshëra e kështu me radhë. Nëse të mbjellat nuk kanë një mbulesë të borës në trashësi 10-15 centimetra, bën që mbështjellësi i brendshëm i bimës, të dëmtohet shkaku i ngricave që lëmë pas. Në kushte të tilla, mund të vij deri tek zvogëlimi i rendimentit 50 deri në 60 për qind”, pohon agronomi Nuhi. Bujqit thonë se dëmet në bujqësi kanë filluar që me thatësinë e vjeshtës, që solli dëmtimin enorm të patates, ndërsa mungesa e borës këtë vit, do shtojë sëmundjet e bimëve.
“Mungesa e borës ndikon shumë tek bujqit. Është mungesë uji ajo, dhe kur toka nuk ka borë ka mungesë uji dhe atëherë paraqiten gjitha sëmundjet e bimëve. Si bujq sivjet parashohim 60 për qind sëmundjet të paraqiten më tepër. Shteti duhet të na ndihmoj të paktën ti mbulojmë harxhimet që i kemi bë, se fitimin sivjet e kemi harruar, po të paktën harxhimet ti mbulojmë”, thotë Mensuri, një bujk nga Tetova. Mungesa e reshjeve të borës dëmton tej mase bujqësinë e vendit, sidomos drithërat, thonë agronomët. Ngricat e ditëve të shkuara në mungesë të borës, kanë bërë që drithërat të kalben në rrënjën e tyre, ndërsa kjo do të ndikojë në uljen e prodhimit. (koha.mk)