Të pyetur lidhur situatën disa mujore që precipitoi në bllokim të përgjithshëm të funksionimit të institucionit nacional të kulturës, nga Qeveria thonë se kanë ngarkuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale për të gjetur një zgjidhje që në fund të muajit mars, por edhe pas dy muajsh situata mbetet e njëjtë
Evis HALILI
Shkup, 16 maj – Kërkesa e Qeverisë për përpilimin e një Propozim-vendimi që do t’i jepte zgjidhje çështjes së bllokimit të xhirollogarive të Muzeut të Alfabetit në Manastir (që në fillim të këtij viti), akoma nuk është realizuar. Të pyetur lidhur situatën disa mujore që precipitoi në paralizimin e përgjithshëm të punës së institucionit nacional të kulturës, nga Qeveria thonë se kanë ngarkuar Ministrinë e Vetëqeverisjes lokale për të gjetur një zgjidhje që në fund të muajit mars, por edhe pas dy muajsh situata mbetet e njëjtë. “Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin Ligjvënës, në mbledhje të Komisionit për Sistem Ekonomik dhe Politikë Ekonomike, të përgatisë informacion me propozim-vendim për gjetjen e mënyrës për financimin e detyrimeve të mbetura për realizimin e aktiviteteve projektuese IN Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që dalin nga programi IPA për bashkëpunim ndërkufitar”,deklarojnë nga zyra e shtypit të Qeverisë.
Për momentin, Muzeu i rikonstruktuar nga institucionet ndërkombëtare për shkak të borxhit të krijuar, të gjitha mjetet që hyjnë në xhirollogarinë e tyre, për sigurimin e objektit, projektet, qiranë që paguan për katin e parë përfundojnë tek përmbaruesit. Që në fillim të muajit shkurt i janë ndërprerë edhe furnizimi me energji elektrike, ujë, telefona, internet, ndërsa borxhi vazhdon të rritet. Drejtori i muzeut Zaid Aliu thotë se kanë insistuar prej disa muajsh që Qeveria të autorizojë ndonjë institucion që të akordojë një fond me të cilin do të paguanin borxhin e grumbulluar ndaj kompanisë që kreu punimet, në mënyrë që të tërheqin më pas të hollat që IPA i ka vënë në dispozicion për projektin rikonstruktues. Ndërsa situatën e tanishme e quan alarmante. Me detyrime të palikujduara ndaj shumë subjekteve dhe xhirollogari të ngrira, ata rrezikojnë të mbeten edhe pa shërbimin e sigurimit të objektit.
Nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale të kontaktuar nga KOHA, sot, por edhe në fillim të muajit mars nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, ndërsa Ministria e Kulturës përjashtoi përfshirjen, pasi sipas tyre bëhet fjalë për një projekt që zbatohet në mënyrë të centralizuar. “Ministria e Kulturës është e detyruar që të sigurojë mjete financiare për bashkëfinancim vetëm për projekte që zbatohen në formë të decentralizuar, përkatësisht për të cilat është përgjegjëse struktura IPA pranë Ministrisë së Kulturës. Në këtë rast bëhet fjalë për menaxhim të centralizuar të projekteve, Programit për bashkëpunimin ndërkufitar, të cilat janë në kompetenca të Ministrisë së Vetëqeverisjes lokale. Po ashtu sjellim në vëmendje se Ministria e Kulturës nuk ka lidhur asnjë marrëveshje me Muzeun e Alfabetit dhe Komisionin Evropian”, deklaruan për KOHA nga Ministria e Kulturës.
Granti nga IPA u miratua në vitin 2017 dhe rikonstruimi i Muzeut u realizua në kuadër të projektit “Muzetë që lidhin kulturat dhe popujt”, Programit për bashkëpunimit ndërkufitar “Greqi- Maqedoni 2014-2020” në suaza të Marrëveshjes për Partneritet, me vlerë prej 780.682 euro. Ndërsa punimet filluan në vitin 2018, por përfundimi i tyre nuk u finalizua edhe me shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj kompanisë kryesore që zhvilloi punimet. (koha.mk)